Odat ekonomike në garë për postin e zv/kryeministrit

Jovanoviq e kritikoi idenë që qeveria e re të ketë zëvendës kryeministër nga sektori i biznesit

Derisa aktorët kryesorë politik tregtojnë me postet e ministrave në qeverinë e re dhe të pozitave të drejtorëve në agjencitë shtetërore, shansin e tyre për kolltuk në kabinet e shohin edhe shumë biznesmen të Maqedonisë. Premtimi i mandatarit Zoran Zaev për një lidhje të drejtpërdrejtë mes qeverisë dhe sektorit të biznesit, rriti ambicione tek anëtarët të disa odave ekonomike. Nga Oda ekonomike e Maqedonisë thonë se me qeverinë e re do të angazhohen për përmirësimin e bashkëpunimit të tyre. Elena Milevska Shtërbevska, drejtoresha operative e odës, thotë se ende nuk kanë kandidat zyrtar për postin e zëvendës kryeministrit për çështje ekonomike.

“Për këtë janë kompetentë organet e odës ekonomike dhe në bazë të konsultimeve të bëra, në periudhën e ardhshme kur një gjë e tillë do të verifikohet sigurisht se do të kemi lajmërim zyrtar”, tha Elena Milevska Shtërbevska, Drejtoresha Operative.

Profesori Branimir Jovanoviq në profilin e tij të Facebook-ut e kritikoi idenë që qeveria e re të ketë zëvendës kryeministër nga sektori i biznesit. Ai sot shkroi:

“Nëse dikush heshti gjatë këtyre 11 viteve derisa Gruevski po e shkatërronte shtetin, ai ishte sektori i biznesit. Për këtë shkak, ky sektor ka më së paku të drejtë të jetë pjesë e qeverisë së re e cila duhet ta rregullojë shtetin”, u shpreh Branimir Jovanoviq, Profesor.

Dje, Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri Perëndimore, e para doli me kandidat zyrtar duke e propozuar kryetarin e saj, Nebi Hoxha për zëvendës kryeministër në kabinetin e Zaevit. Organizata e tretë, Lidhja e Odave Ekonomike, refuzoi të takohet me kryetarin e LSDM-së, që në periudhën parazgjedhore, dhe tani për tani nuk merr pjesë në garën për anëtar në kabinetin qeveritar./21Media

Back to top button