​OEK letër krerëve shtetërorë dhe ZRRE-së: Akt patriotik, pezullimi i vendimit

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna i është drejtuar me një letër-kërkesë publike të parës së shtetit, Vjosa Osmani, kryeministrit në detyrë, Albin Kurti dhe kryetarit të Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahut, që të pezullojnë vendimin e ZRRE-së për daljen e bizneseve në treg të hapur energjetik.

Në këtë letër me mbishkrimin e kryetarit Rafuna, është quajtur si thirrja e fundit për të ndaluar siç thuhet “një veprim arbitrar që po e dëmton rëndë ekonominë e Kosovës”.

Më tej thuhet se proces ka shkaktuar pasoja të rënda ekonomike, duke rrezikuar mbylljen e fabrikave, humbjen e mijëra vendeve të punës dhe shkatërrimin e prodhuesit vendor, që thotë se është shtylla kryesore e zhvillimit të vendit.

“Shoqata e Prodhuesve të Kosovës ka kryer një hulumtim me kompanitë prodhuese të sektorëve kryesorë. Rezultatet tregojnë se rritja e kostove të energjisë është e papërballueshme: 1. Kostoja e energjisë për industrinë është rritur mesatarisht 3 herë krahasuar me vitin 2024. 2. Në disa industri, ndikimi i kostos së energjisë në shpenzimet operative (OPEX) ka arritur deri në 44%, duke e bërë të pamundur vazhdimin normal të prodhimit. 3. Vetëm për sektorin e ndërtimit, rritja e kostos ka qenë mbi 5.6 milionë euro, ndërsa për industrinë e ushqimit mbi 1.7 milionë euro”, thuhet në letrën drejtuar krerëve shtetëror e atij të ZRRE-së.

Po ashtu në këtë letër thuhet se “Ju bëjmë thirrje që të ndërmerrni një akt patriotik për Kosovën duke pezulluar menjëherë vendimin për daljen e detyruar në treg të lirë të energjisë deri në finalizimin e lëndëve gjyqësore dhe vendimeve për masën e sigurisë…”

Ndërsa, sot bizneset anëtare të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës kanë paralajmëruar veprime të ashpra nëse ZRRE nuk tërhiqet nga vendimi për liberalizimin e tregut të energjisë.

Bizneset vendore kanë shprehur shqetësim të thellë për çështjen e liberalizimit të tregut energjetik, i cili sipas tyre rrezikon rëndë stabilitetin e tyre financiar dhe vetë ekzistencën e shumë kompanive në vend, transmeton KosovaPress.

Dhoma e Tregëtisë ka paralajmëruar se përgjegjësia e plotë për çdo pasojë të kësaj krize bie mbi ZRRE-në, duke kërkuar pezullimin e menjëhershëm të vendimit.

Back to top button