OKB: Pasojat mbi popullsinë civile do të jenë shkatërruese
Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët paralajmëroi për një përkeqësim të shpejtë të situatës në Ukrainë pasi njerëzit largohen nga shtëpitë e tyre duke kërkuar siguri.
Komisioneri i Lartë i OKB-së për Refugjatët, Filippo Grandi, paralajmëroi “pasojat humanitare mbi popullsinë civile do të jenë shkatërruese. Nuk ka fitues në luftë, por jetë të panumërta do të copëtohen”, transmeton rtv21.tv
Agjencia e refugjatëve u bën thirrje shteteve fqinje të Ukrainës që t’i mbajnë kufijtë e tyre të hapur për ata që ikin dhe thotë se është e gatshme të “mbështesë përpjekjet e të gjithëve për t’iu përgjigjur çdo situate të zhvendosjes së detyruar”.
Ndërkohë, presidenti i Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, Peter Maurer, u bëri thirrje atyre që luftojnë të respektojnë ligjin ndërkombëtar dhe të sigurojnë mbrojtjen e civilëve./21Media