Opozita dhe shoqëria civile kritikojnë qeverinë për mosrespektim të kushtetutës në ligjbërje

Rrëzimi pjesërisht i Ligjit të Pagave nga Gjykata Kushtetuese ngjalli valë reagimesh. Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosjes Mimoza Kusari-Lila, tha se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese për Ligjin për paga ka prekur në objektivin e këtij ligji.
“Natyrisht se Kuvendi sipas aktgjykimit të plotë do të reflektojë në plotësim-ndryshimet për ligjin, por prapë po e humb elementin që në sektorin publik nuk duhet të ketë diferencë aq të madhe të pagës më të ulët dhe pagës më të lartë. Kjo ka qenë ideja, duke u prezantuar një nivel i qartë dhe transparentë për të gjithë midis pagës më të lartë dhe pagës më të ulët”, shtoi Kusari-Lila
Rrëzimi pjesërisht i Ligjit të Pagave nga Gjykata Kushtetuese shtoi numrin e ligjeve të rrëzuara gjatë këtij viti. Përpos tij, në listën e ligjeve të rrëzuara pjesërisht apo plotësisht janë edhe Ligji për caktimin e çmimeve tavan, Ligji për Këshillin Prokurorial si dhe Ligji për zyrtarët publik, teksa një numër ligjesh po presin për vlerësim kushtetutshmërie.
Koordinatori i Departamentit për Drejtësi në PDK, Përparim Gruda thotë se është e paprecedentë që qeverisë aktuale t’i rrëzohen kaq shumë ligje. Sipas tij. Ligji për Paga, ka pasur defekte serioze nga pikëpamja kushtetuese.
Për neve si PDK-ka qenë e qartë që ligi ka defekte serioze nga pikëpamja kushtetuese…. Ne kemi kontribuar në këtë rast duke dërguar komentet tona…. Çështja këtu ka qenë që qeveria ka synuar që disa kategorive t’ju ulen pagat. Gjykata Kushtetuese ka thënë që kjo ulje s’mund të ndodh sepse njerëzit tashmë kanë kontrata….nuk mund t’iu ulën pagat gjyqtarëve siç është synuar… Është e paprecedentë që një qeverie t’i rrëzohen kaq shume ligje kjo ndodh për dy arsye e para mungesa e kompetencës e dijes profesionale e cila mungon në këtë qeveri dhe e dyta është mungesa e vullnetit politik të kësaj qeverie për të respektuar kushtetutën dhe me këtë njerëzit e Kosovës. Këta mendojnë se pushteti i tyre politik 50% që kanë marrë shkon përtej përcaktimeve dhe kufizimeve kushtetuese”, tha Gruda.
Se Ligji i pagave ka pasur probleme serioze kushtetuese e thonë edhe në Institutin e Kosovës për Drejtësi. Hulumtuesi, Gëzim Shala thotë se Qeveria e drejtuar nga kryeministri Kurti, nuk e ka parasysh rëndësinë e respektimit të kushtetutës gjatë hartimit të ligjeve.
“Përgjithësisht gjykata kushtetuese ka ndjekur qasje pozitive proporcionale në raport me ligjin ka ruajtur ligjin për pagën që tashmë është miratuar por ka hequr hequr dispozitat që bien ndesh me kushtetutën. Po flasim për një qeveri që nuk e ka pasur parasysh rëndësinë e respektimit të kushtetutës në politikbërje dhe ligjbërje në situatën që jemi, para akuzimit të gjykatës Kushtetuese qeveria do të duhej të zbatonte rekomandimet e shoqërisë civile, partnerëve ndërkombëtarë dhe jurispodencën e Gjykatës Kushtetuese, në mënyrë që këto ligje të mos bien në Gjykatë”, tha Shala.
Një ditë më parë Gjykata Kushtetuese e Kosovës bëri të ditur se i ka shpallur të pavlefshme disa nene të Ligjit për pagat në sektorin publik, duke e pranuar kërkesën e Avokatit të Popullit për kushtetutshmërinë e këtij ligji./21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?