Opozita paralajmëron se do ta dërgojë në Kushtetuese projektligjin për KPM-në

Projekt ligji për Këshillin e Pavarur të Mediave, që u kundërshtua prej muajsh nga organizatat joqeveritare, ato të mediave dhe edhe nga institucionet evropiane, u vendos që të vihet në agjendën e séancës plenare të kesaj jave, duke ngritur shqetësime të reja. Partitë në opozitë thonë se po e shohin mundësinë e dërgimit të këtij projekt ligji në Gjykatë Kushtetuese dhe shefi i Grupit Parlamehntar të PDK-së, Abelard Tahiri, e vlerësoi si një përpjekje të pushtetit aktual për të kontrolluar mediat online.
“Ajo çka do ta diskutoj me juve janë dy çështje të rëndësishme dhe mjaftë kritike për nga perspektiva jonë nga mënyra si i shohim ne. Është projektligji i Komisionit të Pavarur për Media i cili është në rend dite në seancën e ditës së enjte dhe është ligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës. Këto dy projektligje paraqesin një shqetësim jashtëzakonisht të madh sidomos te projektligji i Komisionit të Pavarur për media ju e dini që tashmë ka pasur kritika të mjaftueshme edhe nga shoqëria civile poashtu edhe nga zyrtarë të BE-së në Kosovë dhe nga Këshilli i Evropës dhe mund të themi se prej rekomandimeve që kanë ardh nga Këshilli i Evropës, për standardet të cilat duhet të ketë një projektligj i tillë nuk janë përputh fare ose në masën më të madhe janë injoruar mund të themi lirish. Ky projektligj është një tendencë e kontrollimit të mediave online të cilin ne e kundërshtojmë”, tha ai.
Një deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj ndërkohë I cilësoi si tendenca autokratike veprimet e Qeverisë së Kosovësm në veçanti me projektligjin për KPM-në.
“Kemi më shumë se 35 pika të grumbulluara, disa të mbetura me muaj të gjatë si procedurë dhe me një ambient ku kushtet e punës në këtë situatë janë të pafavorshme për të zhvilluar një seancë të rregullt kuvendare. Kjo nuk është e rastësishme që ka ndodhur në Republikën e Kosovë, sidomos këtë vit pas humbjes së legjitimitetit të kësaj Qeverie dhe dorëzimit të z.Kurti për të shkuar në zgjedhje të parakohshme dhe po vazhdon ajo që e kemi quajtur shqetësim nacional, tendenca e autokracisë në këtë vend për imponimin e strukturës personale në institucione të pavarura siç është Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Komisioni i Pavarur për Media e shumë organizata tjera që janë të pavarura me Kushtetutë. Këto do të kundërshtohen në këtë seancë”, ka thënë ai.
Por Armend Muja nga Lëvizje Vetvendosje tha se iniciativa për Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media ka ardhur nga vetë KPM-jadhe sipas tij Qeveria nuk ka pasur përfshirje në këtë projektligj.
“Iniciativa për një ligj të tillë ka ardhur nga vet Komisioni i Pavarur për Media bazuar në ‘Europian Media Act’ që e ka miratuar Komisioni Evropian me praktika të ngjashme sa i përket pronësisë. Është tentuar të interpretohet edhe në Kosovë, besoj që nuk ka pasur ndonjë involvim nga qeveria dhe i njëjti duhet të diskutohet mund të hedhet në Kuvend dhe pastaj të merr versionin përfundimtarë. Komuniteti i gazetarëve, ekspertët e fushës i dinë se cilat janë praktikat e mira ato duhet të krahasohen me Bashkimin Evropian dhe besoj që ajo është destinacioni jonë final, qoftë nga praktikat e demokracisë ashtu edhe nga praktika e mediave”, ka thënë Muja.
Projekt ligji për KPM-në që mori shumicën e votave në leximin e parë në Kuvend në mars të këtij viti u cilësua si i mangët në shumë fusha edhe nga një oponion ligjor të Këshillit të Evropës, dhe në diskutimin që një eksperte e këtij Këshilli zhvilloi pak javë më parë me Komisioni për Adminstratë dhe Media. Opinioni i Këshillit të Evropës që u mbështet nga OSBE dhe nga Zyra e BE-së në Kosovë, thuhet të mos jetë marr parasysh nga Komisioni për Media dhe projekt ligji aktual nuk adreson shqetësimet që janë ngritur.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, që e kundërshtoi këtë projekt ligj, ngriti shqetësimet për ndryshimin e projekt ligjit për KPM-në në kundërshtim me rregulloret e qeverisë, për mënyrën e definimit dhe rregullimit të mediave online, për ndryshimet në përbërjen, emërimin dhe shkarkimin e anëtarëve të KPM-së, heqjen e kufizimit që iu mundëson partive politike dhe grupeve fetare hapjen e televizioneve dhe radiove si dhe mungesën e përfshirjes dhe konsultimit të shoqërisë civile dhe ata të mediave në hartimin e ligjit.
Por Qeveria e Kosovës pati thënë se projektligji për KPM-në buron nga direktiva e BE-së dhe zyrtarët e saj thanë se ai parasheh rregulla të njëjta të veprimit për shërbimet mediale audiovizuele, të cilave u nënshtrohen edhe televizionet private dhe publike./RTV21/21Media