Opozita sfidon Kurtin t’i prezantojë investimet e huaja

Përfaqësues të partive politike në opozitë e kanë ftuar kryeministrin Albin Kurtin që të prezantojë një investim të vetëm të huaj që ndodhi gjatë qeverisjes të tij. Ky reagim i opozitës erdhi pasi kryeministri Kurti tha se Kosova është vendi i pestë në botë sa i përket tërheqjes së investitorëve të huaj.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke iu referuar një raporti të publikuar nga FDI Inetelligence “inteligjenca për investime të huaja direkte”, tha se Kosova renditet e dyta në Evropë sa i përket zhvillimit dhe e pesta në gjithë botën për tërheqjen e investimeve të huaja direkte, në raport me Burto Produktin Vendor. Sipas Kurtit, kjo është një dëshmi e qartë se në Kosovë progresi demokratik dhe ai ekonomik po lëvizin paralelisht.
“Një raport i ri i FDi Intelligence, i mundësuar nga Financial Times, tregon se Kosova renditet e dyta në Evropën në zhvillim dhe e pesta në të gjithë botën për tërheqjen e nivelit më të lartë të Investimeve të Huaja Direkte (FDI) në raport me GDP-në. Për më tepër, ajo renditet e 4-ta në botë për përmirësim nga viti në vit, nga viti 2022 në 2023. Një dëshmi më shumë se progresi demokratik dhe ekonomik në Kosovë ecin paralelisht, duke e bërë vendin tonë një destinacion lider për investitorët e huaj”, ka shkruar Kurti.
Por me deklarata të tilla nuk pajtohet deputeti i PDK-së, Ferat Shala. Ai thotë se i vetmi investim i kryer nga qeveria është një urë në fshatin Saradran në komunën e Istogut dhe se ka ftuar kryeministrin Kurti që të tregoj se ku dhe në çfarë janë bërë këto investime.
“T’i thotë këto deklarata dikush që nuk jeton në Kosovë edhe do e kuptonim sepse nuk i njeh gjërat, por të vijnë nga vet kryeministrit kjo vërtetë është për shqetësim unë i them kryeministrit të na e thotë vetëm një emër të ndonjë kompanie të huaj që ka investu në Kosovë gjatë mandatit të tij qeverisës, vetëm një projekt le të del që është investim i huaj që ka përfundu unë do t’i kërkoj falje publike kryeministrit”, tha Shala për rtv21.
Në lidhje me investimet e huaja direkte në vendin tonë, RTV21 ka katër ditë që ka kërkuar përgjigje nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, por deri në publikimin e këtij raporti ata nuk janë përgjigjur. Ndërkohë raportin e publikuar nga kryeministri Kurti, ish-ministri i financave Haki Shatri e quan të pakuptimtë. Edhe Shatri, ka ftuar kryeministrin të prezantojë këto investime.
“Po edhe në fund të detit me ra shokë gjenë, pra kto raporte prodhohen në forma të ndryshme por pasi që ai qenka bazu në këtë raport dhe qenka kredibil le të na prezantoj investimet, le të na thotë ja ky është projekti ne nuk po i shohim qytetarët nuk po i shohin”, tha Shatri për rtv21.
Vlera e investimeve të huaja për vitin 2023 sipas disa të dhënave të BQK-së kishte arritur në mbi 300 milionë euro. Këto investime ishin realizuar kryesisht nga diaspora të cilët investuan në patundshmëri dhe blerje të banesave./21Media