ORCA reagon ndaj Rektorëve të Universiteteve Publike
Sipas ORCA-s, gjuha e përdorur në reagimin e Konferencës së Rektorëve të Universiteteve Publike është shqetësuese
Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim-ORCA, përmes një komunikate për media ka shprehur shqetësimin lidhur me reagimin e Konferencës së Rektorëve të Universiteteve Publike të Kosovës, e cila sipas kësaj organizte dje ka shpërndarë konstatime të pavërteta dhe të pabazuara për mos akreditimin e programeve të tyre nga Këshilli Shtetëror i Cilësisë i Agjencisë së Kosovës për Akreditim.
“ORCA i monitoron për së afërmi mbledhjet e Këshillit Shtetëror të Cilësisë dhe kësisoj ka qenë prezente në mbledhjet që kanë zgjatur nga 6-8 orë secila (më 15 e 16 janar) ku janë shqyrtuar aplikimet dhe validimi vjetor i programeve ekzistuese”, është bërë e ditur në reagimin e ORCA-s.
ORCA si dëshmitare okulare e procesit arrin në konstatim se: Konstatimet e Konferencës së Rektorëve të Universiteteve Publike, se KShC ka treguar papërgjegjësi ndaj dispozitave ligjore, papërgjegjësi profesionale dhe tendencë politike karshi programeve të tyre janë të pavërteta dhe të paqëndrueshme.
“Nga aplikimet e reja për akreditim programesh, KShC ka dhënë dritën e gjelbër për 104 programe, 53 të universiteteve publike dhe 51 të institucioneve private, ndërsa ka refuzuar 107 programe, 28 të universiteteve publike dhe 79 të institucioneve private. Gjatë validimit të 185 programeve ekzistuese, u është vazhduar akreditimi 124 programeve të universiteteve publike dhe 61 programeve të institucioneve private, ndërkohë ka tërhequr akreditimin për 74 programe, 40 të universiteteve publike dhe 35 të institucioneve private”, ka theksuar kjo organizatë.
Për këtë, ORCA ka bërë të ditur se nga numrat e dhënë më sipër vërehet se shumica e programeve të akredituara për herë të parë dhe të validuara nga ato ekzistueset janë nga universitetet publike, pra që tendenca e pretenduar e KShC ndaj universiteteve publike e shprehur nga Konferenca e Rektorëve është e pabazuar. Për ORCA-n, siç theksohet është shqetësuese gjendja e universiteteve publike dhe institucioneve private të cilat ende kanë problem me përmbushjen e kriterit më minimal, atë të 3 PhD të fushës për program si profesorë bartës të programeve.
“Po ashtu gjuha e përdorur në reagimin e Konferencës së Rektorëve të Universiteteve Publike është shqetësuese kur vjen te akuzat për politizim, sidomos kur kemi parasysh faktin se disa rektorë të kësaj Konference kanë probleme serioze me integritetin akademik dhe se mënyra e zgjedhjes së tyre është paraqitur në medie përgjatë viteve si influencë e pastër politike e partive të ndryshme në pushtet.”, është theksuar më tutje në reagim.
Lidhur me këtë çështje ende nuk ka reagim as nga Kryeministri Ramush Haradinaj dhe as nga Ministri i MAShT-it, Shyqiri Bytyqi, të cilëve u është dërguar letra nga Rektorët e universiteteve publike të Republikës së Kosovës, të cilët kanë kërkuar urgjentisht shkarkimin e anëtarëve të Këshillit Shtetëror për Cilësi./21Media