Organizatat e dala nga lufta i bashkohen marshit në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së
Organizatat e dala nga lufta do t’i bashkohen marshit të platformës “Liria ka emër” në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po mbahen në Hagë.
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK, Faton Klinaku, ka ftuar të gjithë qytetarët që të dalin në marsh të dielën e 2 prillit.
Pasi ka pritur në takim ideatorët e platformës “Liria ka emër”, ai ka theksuar se ky marsh është për drejtësi.
“Ne si organizata të dala nga lufta natyrisht që do t’i përkrahim dhe do t’i mbështesim dhe do të bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës të përkrahin një marsh të tillë, sepse ky marsh nuk është vetëm i platformës ‘Liria ka Emër’, por ky marsh është për drejtësi, sepse si rezultat i luftës sonë çlirimtare edhe populli jonë gëzon lirinë. Thirrjen e bëjmë që të bashkëngjiten e gjithë popullata e Kosovës sepse të gjithë janë duke e gëzuar lirinë që e ka sjell lufta jonë çlirimtare”, ka thënë Klinaku.
Ai ka thënë se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi po mbahen padrejtësisht në Hagë duke shtuar se atje nuk po gjykohen individë por lufta e UÇK-së.
“Edhe ky numër i dëshmitarëve që ka qenë 312 ka qenë absurd sepse 312 veta krerët me siguri as nuk i kanë njohur gjatë luftës gjithë ata persona. Edhe ato dosjet që kemi thënë ne vazhdimisht i kanë marrë sepse janë përgatitë në Serbi, edhe ato dosje dhe akuzat i kanë po ashtu prej Serbisë, si rezultat i atyre dosjeve që i kanë shoshitur edhe më herët qoftë në tribunal të Hagës, qoftë për krime lufte në ish jugosllavi, qoftë në UNMIK, qoftë në EULEX, të njëjtat dosje, të njëjtat akuza janë të Gjykatës Speciale, të Zyrës së Prokurorit të Specializuar”, ka thënë ai.
Ndërsa Ismail Tasholli, nga platforma “Liria ka emër”, ka thënë se shpresojnë që edhe kategori të tjera të shoqërisë të bëhen pjesë e këtij marshi për të cilin ka theksuar se qëllim e ka drejtësinë.
“Ishte shumë e rëndësishme të ndodhemi sot këtu, të shoqatat e dala nga lufta, sepse këta janë trashëgimia praktike dhe simbolike e një të kaluare shumë të dinjitetshme. Ne kemi hasur në mbështetje të plotë në kuptimin e bashkëngjitjes së marshit që e kemi organizuar dhe kemi hasur në mirëkuptim dhe shpresojmë që edhe kategoritë e tjera, edhe komunitete të caktuara të shoqërisë të jenë pjesë e këtij marshi që për qëllim ka drejtësinë”, ka thënë ai.
Një ditë para fillimit të gjykimit ndaj Thaçit dhe të tjerëve, në Prishtinë do të marshohet në mbështetje të tyre, organizim ky i platformës “Liria ka emër”.
Marshi do të fillojë në orën 14:00 nga sheshi “Zahir Pajaziti” dhe do të vazhdojë deri të sheshi “Skënderbeu”.
Më 3 prill në Gjykatën Speciale në Hagë do të fillojë gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Aktakuza ndaj tyre UÇK-së, lidhur me pretendimin për krime lufte, është konfirmuar më 26 tetor 2020.
Në paraqitjet e tyre të para në Dhomat e Specializuara në Hagë ata janë deklaruar të pafajshëm.
Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi po qëndrojnë në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.
Më 29 prill, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Thaçit dhe të tjerëve ku pretendon se të akuzuarit kanë kryer krime lufte në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.