Osmani: Çështje kohe se sa shpejt do të na njohin disa vende

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se është çështje kohe se sa shpejt do ta njohin Kosovën disa vende.
Këtë koment, e para e vendit e bëri në një intervistë për “El Periodico”, gazetë kjo me bazë në Katalonjë, ku ajo ka folur edhe për shumë tema tjera.
Ajo u pyet në lidhje me mosnjohësit e pavarësisë. Ndaj kësaj pyetjeje, ajo tha se nuk duhet të futen në një grup pesë vendet e BE-së dhe Rusia e Serbia, pasi këto të fundit “kanë ide hegjemoniste dhe imperialiste”.
“Nuk do të vendosja Rusinë dhe Serbinë në të njëjtin grup me pesë vendet e BE-së. Rusia dhe Serbia nuk e njohin Kosovën sepse kanë ide hegjemoniste dhe imperialiste. Serbia dëshiron të na shohë ne, Bosnje Hercegovinën, Malin e Zi dhe vende të tjera si shtete të përkohshme dhe të kthehet në vitet ’90 përmes pretendimeve të saj territoriale. Sa i përket pesë vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën, besoj se jemi në rrugën e duhur dhe do të gjendet një zgjidhje. Pavarësia e Kosovës është një fakt i pakthyeshëm, kështu që ne jemi këtu për të vazhduar të jemi shtet i pavarur dhe sovran, është vetëm çështje kohe se sa shpejt disa vende e zyrtarizojnë vendimin e tyre për të na njohur”, ka deklaruar Osmani.

Back to top button