Osmani: Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut- ngjarje emblematike
(Lajm i përditësuar)
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka uruar 2 korrikun, me ç’rast ka thënë se Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut të vitit 1990, e shpallur nga 114 delegatët e Kuvendit të Kosovës hapi rrugën për përmbushjen e ëndrrës shekullore për Kosovën Republikë.
“Akti i tyre dëshmoi se rruga e bërjes së shtetit kërkon përkushtim, sakrificë dhe guxim. Delegatët e asaj kohe i gërshetuan këto të tria, duke vërë gurin themeltar të shtetit të Kosovës, i cili u vulos më 17 shkurt 2008. Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut është ngjarje emblematike, e cila shënoi kthesën tonë historike për liri dhe pavarësi. 2 Korriku mbetet një nga datat më të rëndësishme për shtetin tonë, ngase themelet e tij qëndrojnë mbi vendimin e delegatëve të asaj kohe. Urime 2 Korriku, qoftë e përjetshme Republika e Kosovës!”, ka thënë Osmani.
33 vjet nga Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut
Sot mbushen 33 vjet që kur delegatët e atëhershëm të Kuvendit të Kosovës kanë miratuar Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut.
Në këtë ditë historike, Kosova është shpallur njësi e veçantë, në kuadër të federatës së atëhershme jugosllave.
Deklarata e 2 Korrikut 1990 ishte akti që ka shënuar hapin historik institucional të pavarësimit të Kosovës, i cili është zhvilluar jashtë objektit të Parlamentit, në kushte të rrethimit nga forca të mëdha policore e ushtarake.
Deklaratën Kushtetuese mbi Kosovën si njësi të pavarur dhe të barabartë në kuadër të federatës apo konfederatës jugosllave e kanë shpallur në Prishtinë 111 delegatët shqiptarë të Kuvendit të Kosovës.
Deklarata ka shënuar edhe pikënisjen për pavarësimin e Kosovës nga Serbia, duke synuar që të trajtohet si e barabartë me republikat e atëhershme në federatën jugosllave.