Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi se njohja nga Izraeli është një prej më të rëndësishmeve që i ka ardhur Kosovës, por ajo listoi ato çfarë nuk ka realizuar delegacioni i Kosovës.

Për njohjen nga izraelitët, Osmani u shpreh se kjo dëshmon që Shtetet e Bashkuara kanë rol ekzistencial në përkrahjen dhe konsolidimin e subjektivitetit ndërkombëtar te Kosovës.

“Njohja nga Izraeli është një prej njohjeve më të rëndësishme që i ka ardhur Kosovës qe një kohë të gjatë. Kjo edhe njëherë dëshmoi se që nga shpallja e pavarësisë sonë, Shtetet e Bashkuara kanë rol ekzistencial në përkrahjen dhe konsolidimin e subjektivitetit ndërkombëtar te Kosovës”, shkroi Osmani.

Tutje Osmani tha se delegacioni i Kosovës nuk arriti t’i sjellë vendit pikërisht ato që i premtoi qytetarëve dhe Kuvendit që një kohë të gjatë.

“Njohjen e ndërsjellë me Serbinë; Mosnegociimin e shfrytëzimit të resurseve (siç është Ujmani); Mospranimin e Mini-Schengenit (ose siç e quanin mini-Jugosllavi) – Mosprekjen e kushtetutës dhe deklaratës së pavarësisë (meqë për 1 vit u hoq dorë dhe u shpall moratorium mbi nenin 17 të kushtetutës dhe nenet 8 e 9 të deklaratës së pavarësisë); Rezultate konkrete për të pagjeturit; Dëmshpërblim për reparacionet e luftës; Përgjegjësi të Serbisë për krimet e kryera në Kosovë dhe; Eliminim të plotë të barierave jotarifore që Serbia i ka vënë Kosovës”, shkroi Osmani./21Media