Osmani-deputetës britanike: Kosova është më e fortë me aleatë si ju

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim deputeten e Parlamentit Britanik, Alicia Kearns.

Këtë Osmani e bëri të ditur përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, duke thënë se Kosova është më e fortë me aleatë si Alicia Kearns.

“Mirë se erdhët në Kosovë, deputete Alicia Kearns! Populli i Kosovës është përzemërsisht falënderues për punën tuaj të çdoditshme në përkrahje të Kosovës dhe afirmimin e të vërtetës”, ka thënë presidentja.

Tutje në një komunikatë për media nga zyra e presidentës bë e ditur se takimi me deputeten Kearns u përqendrua në zhvillimet politike dhe të sigurisë në Kosovë, pas sulmit terrorist dhe aktit të agresionit të Serbisë ndaj Kosovës, më 24 shtator.

Osmani e ka informuar deputeten britanike me sfidat me të cilat po përballet Kosova dhe ka theksuar rëndësinë e përpjekjeve të unifikuara ndërkombëtare për t’iu kundërvënë akteve të tilla terroriste dhe të agresionit në funksion jo vetëm të sigurisë së qytetarëve të Kosovës, por edhe stabilitetit rajonal e më gjerë.

Në këtë kontekst, Presidentja ka theksuar se hetimet e deritanishme të kryera nga autoritetet vendore, përderisa vazhdojnë hetimet nga partnerët ndërkombëtarë, dëshmojnë se Serbia qëndron pas sulmit të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, ndaj ka kërkuar që të ndërmerren masa ndëshkuese ndaj Serbisë.

“Deputetja Alicia Kearns është një avokuese e shquar për Kosovën, ndaj ne presim që edhe më tej, angazhimi i saj të jetë në funksion të prezantimit të gjendjes reale këtu, duke u mbështetur në argumente e fakte, ashtu siç bën vazhdimisht ajo”, ka theksuar Osmani.

Ndërkaq deputetja Kearns, falënderoi Presidenten Osmani për ftesën dhe theksoi përkushtimin e saj personal për ta vazhduar mbështetjen ndaj Kosovës, por edhe përkushtimin e Mbretërisë së Bashkuar për të punuar ngushtë në promovimin e paqes, stabilitetit dhe prosperitetit.

Deputetja britanike, Kearns kishte ngritur shqetësimet për situatën e sigurisë në veri të Kosovës, duke përmendur kontrabandën e armëve nga Serbia dhe ruajtjen e tyre në kishat ortodokse serbe./21Media

Back to top button