Osmani do t’i dërgojë Gjykatës Kushtetuese komente për çështjen e konstituimit të Kuvendit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do t’i dërgojë të martën Gjykatës Kushtetuese komentet e saj për çështjen e konstituimit të Kuvendit.

Lajmin për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar këshilltari i presidentes Osmani për media, Bekim Kupina.

Kupina tha se “qëndrimi i Osmanit ka qenë gjithnjë se askush nuk duhet ta ketë të drejtën t’i bllokojë institucionet dhe shtetin”.

“Siç e dini, Gjykata Kushtetuese tashmë ka vendosur masë të përkohshme deri më 30 shtator. Në lidhje me meritat e rastit, Presidentja do t’ia dorëzojë Gjykatës Kushtetuese komentet e saj për çështjen në fjalë brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata, pra nesër më 9 shtator. Qëndrimi i Presidentes gjithnjë ka qenë se askush nuk duhet ta ketë të drejtën t’i bllokojë institucionet, e rrjedhimisht shtetin. Ashtu siç parashihet në 57 (4) të Kushtetutës, realizimi i të drejtave të komuniteteve është i pandashëm nga detyrimi për t’i respektuar ligjet e Republikës së Kosovës dhe për të mos i cenuar të drejtat e të tjerëve”, tha Kupina. /21Media

Back to top button