Osmani e Kurti: Do të angazhohemi për të sjellë drejtësi

Me rastin e 23 vjetorit të çlirimit të Kosovës nga forcat serbe, krerët shtetëror kanë bërë homazhe te varri i ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova e veprimtarit, Adem Demaçi.
Duke uruar qytetarët në këtë ditë çlirimi, ata u zotuan se do të angazhohen për drejtësi për të gjitha viktimat, dëmet dhe vuajtjet e shkaktuara te popullit i Kosovës nga forcat serbe.
Presidentja Osmani në këtë ditë shprehu falënderimin dhe përkuljen para kontributit të të gjithë atyre që trasuan rrugën për liri dhe pavarësi.
Osmani shpreh se ish-presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova është arkitekt i pavarësisë, i cili ndërtoi ura miqësie që edhe sot i shërbejnë Kosovës.
“Këtë ditë e cila simbolizon shumëçka për të gjithë qytetarët tanë, gjithë popullin e Kosovës që për dekada të tëra ishte i shtypur nga regjimi gjenocidal i Millosheviqi, më 12 qershor të gjitha forcat serbe u larguan nga Kosova pas krimeve të llahtarshme që kishin kryer ndaj popullatës civile në Kosovë dhe në Kosovë hynë forcat e NATO-së, Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe u rikthyen edhe civilët të cilit ishin detyruar të largoheshin nga shtëpitë e tyre për shkak të dëbimit masiv dhe spastrimit etnik ndaj popullit të Kosovës. Ibrahim Rugova i cili mbi të gjitha e bëri të qartë vullnetin e popullit të Kosovës edhe para gjithë botës duke ndërtuar kështu ura miqësie të cilat edhe sot e kësaj dite i shërbejnë Kosovës për të ecur përpara”, u shpreh ajo.
Kurse, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti u shpreh se sot Kosova shënon çlirimin e vendit, paqen dhe lirin e popullit por edhe kujton ata që kontribuan për këtë.
Kurti u shpreh se institucionet e Kosovës nuk e harrojnë të kaluarën dhe se angazhohen për drejtësi për viktimat, dëmet dhe vuajtjet e popullit të Kosovës.
“Ne sot shënojmë çlirimin e vendit, shënojmë paqen në Kosovë dhe lirinë e popullit, dhe në të njëjtën kohë kujtojmë ata të cilët kontribuan, punuan, u sakrifikuan, u flijuan që ne të jemi edhe të gjallë edhe të lirë edhe me mundësi për përparim.Nuk mund ta paramendojmë humanitetin, durimin, qetësinë në politikë pa presidentin, Ibrahim Rugova, i cili para se të bëhej president për herë të parë këtu e 30 vjet më parë ishte intelektual i angazhuar, racionalisht i cili me insistimin e tij dha kontribut të jashtëzakonshëm për ndërkombëtarizimin e çështjes shqiptare dhe të Kosovës në veçanti në kohën e okupimit të egër të Serbisë të aparthejdit të Millosheviqit që kulmoj me gjenocidin kundër popullit tonë. Ne me siguri si institucione të Republikës së Kosovës, nuk e harrojmë kurrë të kaluarën, do të insistojmë dhe do të angazhohemi për drejtësi për të gjitha viktimat, për të gjitha dëmet, e vuajtjet që na u kanë shkaktuar dhe në këtë mënyrë bashkë me popullin e Kosovës që është i jashtëzakonshëm e kemi të sigurt dhe shumë më të mirë të ardhmen përpara”, theksoi Kurti./21Media

Back to top button