​Osmani falënderon Hargreaves për mbështetjen e Britanisë së Madhe ndaj Kosovës

Presidentja Vjosa Osmani, priti sot në takim ambasadorin britanik në Prishtinë, Jonathan Hargreaves, me të cilin ka diskutuar mbi zhvillimet e fundit politike dhe sigurisë në vend.

E para e vendit shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Britanisë së Madhe për Kosovën dhe popullin tonë, dhe rikonfirmoi përkushtimin për avancimin e bashkëpunimit bilateral, veçanërisht në fushën sigurisë, mbrojtjes, ekonomisë, tregtisë, si dhe të drejtave të njeriut.

Ajo gjithashtu diskutoi për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në fushën e drejtësisë tranzicionale, përfshirë mbështetjen për Institutin për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, si një institucion kyç për dokumentimin e së vërtetës dhe promovimin e drejtësisë.

Në takim u diskutua edhe mbi përgatitjet për të shtyrë përpara iniciativën e presidentes Osmani për lidhjen e një marrëveshjeje strategjike me Britaninë e Madhe, siç është diskutuar me sekretarin e Jashtëm britanik gjatë vizitës së tij në Kosovë.

Back to top button