Osmani fton Kamala Harris-in ta vizitojë Kosovën

Presidentja Vjosa Osmani, zhvilloi sot një bisedë telefonike me zëvendëspresidenten e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kamala Harris.
Partneriteti i shkëlqyeshëm mes dy vendeve dhe raportet e veçanta ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve ishin në qendër të kësaj bisede. Me këtë rast, Osmani i ka shprehur zëvendëspresidentes mirënjohjen e përhershme të popullit të Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme nga SHBA-të dhe ka ritheksuar se SHBA-të mbeten partner kryesor strategjik i vendit tonë në procesin e konsolidimit të shtetësisë.
Palët diskutuan dhe për situatën me pandeminë, me ç’rast Osmani i falënderoi dhe njëherë SHBA-të dhe presidentin Joe Biden për donacionin prej mbi 500 mijë vaksinash.
Osmani tha që një veprim i tillë e ka vulosur edhe njëherë miqësinë e palëkundshme në mes të dy vendeve tona, si dhe është dëshmia më e pastër e përkrahjes së parreshtur të SHBA-ve për vendin tonë.
Ndërkaq, zëvendëspresidentja Harris tha se SHBA-të janë thellësisht mirënjohëse ndaj Kosovës për bashkëpunimin e ngushtë dhe gatishmërinë e bujarinë e treguar për mikëpritjen e mijëra qytetarëve afganë.
Harris, shprehu po ashtu mirënjohjen e administratës Biden për mbështetjen e Kosovës në këtë mision dhe ritheksoi lidhjen personale dhe të thellë midis Administratës Biden dhe popullit të Kosovës.
Gjatë bisedës, Harris përcolli falënderimin e saj të përzemërt për organizimin e ceremonies nga ana e presidentes Osmani për dhënien e Medaljes Presidenciale për Sundim të Ligjit për të ndjerin Joseph Robinette “Beau” Biden III.
Në këtë shkëmbim të parë ndërmjet tyre, presidentja Osmani shfrytëzoi rastin që edhe njëherë ta urojë Harris për emërimin në pozitën e dytë më të lartë shtetërore. Ajo theksoi se fitorja e ekipit Biden-Harris nuk është një fitore vetëm për Amerikën, por për gjithë botën demokratike.
Tutje, ajo theksoi se emërimi i znj. Harris si zëvendëspresidente e parë grua e SHBA-ve, si dhe shembulli i dhënë prej saj, do të mbeten të shënuara si moment lavdie në historinë tonë moderne. Puna dhe angazhimi i saj, sipas Osmanit, shërbejnë si inspirim dhe për shumë gra e vajza lidere të së ardhmes anë e mbanë botës.
Osmani e ftoi zëvendëspresidenten Harris ta vizitojë Kosovën, për t’i parë për nga afër sukseset e përbashkëta.
“Të dy lideret u pajtuan që të takohen personalisht së shpejti”, thuhet në njoftimin e Presidencës./21Media

Back to top button