Përfundon takimi i Osmanit me krerët e partive politike

(Lajmi i përditësuar)


Kurti: Do ta kemi një adresim pasdite nga Kryeministria

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se në lidhje me situatën e krijuar tani edhe me dekretin e presidentes, Vjosa Osmani për shpërndarjen e kuvendit, ka thënë se do të flasë pasdite nga kryeministria.

“Do ta kemi një adresim pas ditë nga kryeministria”, tha Kurti.


Haradinaj: 5, 12 ose 19 prilli datat e mundshme për zgjedhje

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, pas takimit me presidenten ka dhënë tri data të mundshme për zgjedhjet.

“Janë opsion datat prej 5-12-19 prill, mund të ketë edhe datë tjetër”, ka thënë ai para mediave.

Ai ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje për mospjesëmarrje në takim, ashtu si edhe adresimin e kësaj partie në  Gjykatën Kushtetuese për dekretin e presidentes për shpërndarjen e Kuvendit të premten.

“Ndjesi e keqe ishte mospjesëmarrja e VV-së. Është e pakuptimtë mospjesëmarrja e tyre. Mosardhje e tyre sot është një lloj fyerje për vendin, institucionet. Kurtit iu kanë përgjigjur në takime kryetarët e partive opozitare një nga një dhe shumë herë ka pasur konsulta. Mosardhja e tyre sot nuk është në rregull. Adresimi në Gjykatë Kushtetuese  është një fyerje në vete, tallje, hajgare me proceset”, ka theksuar Haradinaj.


Takimi me Osmanin, Hamza: Do t’i shqyrtojmë datat e propozuara

Kryetari i PDK-së Bedri Hamza ka mbërritur në presidencë për takim konsultativ me presidenten Vjosa Osmani, lidhur me datën e zgjedhjeve të reja.

Para mediave, Hamza tha se fillimisht do t’i shqyrtojë datat e propozuara, ndërsa theksoi se çdo vendim duhet të jetë në përputhje me rendin kushtetues dhe ligjor.

“Do t’i shikoj cilat janë datat e propozuara. Sidoqoftë, mendoj se gjithçka do të vendoset në përputhje me rendin kushtetues dhe rendin ligjor, dhe ne jemi parti që e respektojmë rendin kushtetues dhe ligjin”, tha Hamza.


Përfundon takimi i Osmanit me krerët e partive politike

Ka përfunduar takimi i  presidentes, Vjosa Osmani me krerët  e partive politike për diskutimin e datës së zgjedhjeve të reja pas vendimit që ka marrë për shpërndarje të Kuvendit të Kosovës.

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, pas takimit me presidenten ka dhënë tri data të mundshme për zgjedhjet.

“Janë opsion datat prej 5-12-19 prill, mund të ketë edhe datë tjetër”, ka thënë ai para mediave.


Haradinaj: Dekreti është i drejtë – LVV po e vazhdon talljen me procese e me qytetarë

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, në një paraqitje për mediat para takimit konsultativ me Presidenten Vjosa Osmani për caktimin e datës së zgjedhjeve, tha se afatet kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit nuk mund të ndryshohen dhe se partia e tij do t’i respektojë.

Haradinaj tha se tash “ne jemi në auto-pilot, dhe komandohemi nga Kushtetuta, nga afatet kushtetuese”.

“Dekreti është i drejtë dhe e respektojmë si të tillë. Kuptohet, presim edhe caktimin e datës së zgjedhjeve”, u shpreh ai.

Duke folur për kërkesën e LVV-së drejtuar Gjykatës Kushtetuese pas dështimin të djeshëm për zgjedhjen e Presidentit, i pari i AAK-së tha se “ky është vazhdim i talljes me procese e me qytetarë” nga ana e kësaj partie.

“Kjo është një lloj vazhdim i talljes me procese, me qytetarë. Sa janë mundu me shkru një landë, më mirë t’ishin mundu me zgjedh presidentin e mos me çu vendin në zgjedhje. Pra, kjo është një hajgare e radhës prej tyre, dhe mendoj se edhe gjyqtarët do t’ia kthejnë me hajgare përgjigjen”, potencoi kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.


Nis takimi i Osmanit me krerët e partive politike, VV-ja nuk merr pjesë

Ka nisur takimi i thirrur nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani me liderët politik për caktimin e datës së zgjedhjeve.

Ekipi i RTV21 raporton se kryeministri, Albin Kurti mungon në këtë takim.

Në këtë takim po marrin pjesë LDK, PDK, AAK dhe gjithashtu përfaqësues të partive nga minoritetet, përfshirë Emilija Rexhepin, Duda Baljen dhe të tjerë.


Osmani fton në takim liderët e partive për caktimin e datës së zgjedhjeve

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani sot nxori dekret për shpërndarje të Kuvendit, pasi ky institucion dështoi ta zgjidhte presidentin e ri deri më 5 mars.

Osmani përmes konferencës për media paralajmëroi se do ti nisë konsultimet me partitë politike për caktimin e datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Sipas një burimi të portalit rtv21.tv brenda Presidencës thuhet se këto konsulta do të fillojnë sot me fillim nga ora 13:00, ku pritet të diskutohen hapat e mëtejmë për organizimin e zgjedhjeve.

Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka konfirmuar se do të marrë pjesë në këto konsultime, ndërsa kryeministri dhe kreu i VV-së, Albin Kurti nuk ka konfirmuar nëse do të jetë pjesë e takimit.

Po ashtu edhe zëdhënësi i AAK-së, Kushtrim Xhemaili, konfirmoi për portalin rtv21.tv se kryetari Ramush Haradinaj do të marrë pjesë në këto konsultime.

Kujtojmë se Lëvizja Vetëvendosje i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesë për vlerësimin e kushtetueshmërisë së procedurës për zgjedhjen e presidentit./21Media

Back to top button