Osmani: Fuqia jonë më e madhe qëndron te partneriteti

Forumi i Paqes në Paris

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se duhet të ndahet agresori nga viktima duke folur për luftën në Ukrainë, ndërsa ka kujtuar atë në Kosovë.
Osmani në një diskutim në kuadër të Forumit të Paqes që po mbahet në Paris, ka thënë se fuqia më e madhe qëndron te partneriteti, siç u dëshmua në rastin e Kosovës.
“Nuk duhet të biem në kurthin e lojës se të dyja palët janë të njëjta, sepse dëgjojmë deklarata se si të dyja palët kanë faj për një luftë që ka qenë absolutisht e paprovokuar nga Ukraina. Asnjëherë nuk do të duhej që të përdorej kjo qasje e dy palëve kur ka agresor të qartë dhe viktimë të qartë. Këtë e kemi parë edhe në luftërat në ish-Jugosllavi e këtë po e shohim edhe tani. Këtu mund të mësojmë nga rasti i Kosovës, që fuqia jonë më e madhe qëndron te partneriteti”, ka thënë Osmani.
Presidentja ka shtuar se Ukraina duhet të mbështetet me të gjitha mjetet për ta fituar luftën me Rusinë.
“Në vitet e 90’ kur lufta e Kosovës ishte ndalur nga NATO-ja, kur NATO-ja kishte ndalur gjenocidin, ishte e suksesshme sepse partneriteti i vendeve demokratike në botë ishte bazuar në vlerat demokratike, vlerat për mbrojtjen e viktimës. Nëse dikush kryen krime lufte, krime kundër njerëzimit, dhe nuk ka drejtësi për ato krime, jemi të dënuar që të shohim përsëritjen e atyre akteve”, ka thënë Osmani./21Media

Back to top button