Osmani: Gjendja në KEK, alarmante

Kryetari i Sindikatës së Re të KEK-ut Rafet Osmani tha se nesër do të organizojnë protesta

Kosova me potenciale të mëdha të thëngjillit, por vazhdon të ketë probleme me energji elektrike, sa që ekziston mundësia që vendi të mbetet në terr, të rritet çmimi i rrymës, ndërsa janë afër 5 mijë punëtorë që mund të mbesin pa vendet e tyre të punës.

Problemi i shpronësimit të tokave në zonën 52 hektarëshe, ka sjellë vendin në një situatë shumë të rëndë energjetike.

Kryetari i Sindikatës së Re të Korporatës Energjetike të Kosovës, Rafet Osmani, ka thënë se më 2 gusht, do të organizojnë protestë për të parandaluar më të keqen.
“Ne iu bëjmë thirrje qytetarëve të Kosovës që të na bashkangjiten në protestë më 2 gusht, do të thotë të mërkurën, prej orës 12 deri në orën 13 sepse do të ballafaqohemi me reduktime të mëdha të rrymës dhe me rritje drastike të çmimeve të energjisë elektrike. Menaxhmenti duhet të mbajë përgjegjësi për punëtorët për shkak se momentalisht i kemi 4 mijë e 800 punëtorë dhe iu rrezikohen vendet e punës pa fajin e tyre. Pastaj dëm të madh do të ketë ekonomia e Kosovës, bizneset kosovare, investitorët që kanë menduar të investojnë në Kosovë do të tërhiqen”, ka thënë Osmani.

Ai ka paralajmëruar edhe grevë gjithëpërfshirëse në rast se organet kompetente nuk ndërmarrin masa të menjëhershme pas protestës së 2 gushtit.

Për situatën e krijuar, Osmani ka fajësuar menaxhmentin e KEK-ut që ka fshehur deri më tash gjendjen aktuale si dhe Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik dhe atë të Planifikimit Hapësinor, ndërsa ka shtuar se edhe Kuvendi Komunal i Obiliqit nuk ka vepruar konform vendimit të Qeverisë, për zonën prej 52 ha që është shpallur njëherit edhe zonë me interes të veçantë.

Madje ai ka theksuar se nga 30 shtëpi sa ka pasur në atë pjesë, sot ndodhen afër 300 të tilla.
Kur këto kapacitete energjetike kanë mundur të punojnë dhe të ekzistojnë edhe gjatë luftës së fundit dhe bombardimeve, Osmani u shpreh se më e keqja është se tani rrezikohen edhe ato ekzistueset.

Ai theksoi se Kosova në këtë mënyrë do të detyrohet të blejë thëngjill shumë më shtrenjtë nga vendet e tjera, përderisa vendi ka sasi të mjaftueshme thëngjilli.

“Përkundër investimeve të mëdha që kanë qenë pas luftës në KEK, prej pas luftës, vetëm në minierën ekzistuese në Sibovcin jugperëndimor, janë investuar diku rreth 200 milionë euro, ndërsa në krejt KEK-un diku rreth 1 miliardë euro. Pas gjithë këtyre investimeve, pas gjithë këtyre rezervave të thëngjillit të kësaj pasurie kombëtare, na vendosin para aktit të kryer, që të blejnë thëngjill me çmime shumë të shtrenjta nga rajoni. Këtu dikush duhet të jap përgjegjësi dhe të përballët me drejtësinë”, tha Osmani.

Sipas tij, më e keqja është se menaxhmenti i KEK-ut nuk e ka përgatitur një plan ‘B’, në rast të dështimit të planit të parë, gjë që veç ka ndodhur.

Ndryshe, Zona prej 52 hektarësh është shpallur si zonë me interes të veçantë nga Qeveria e Republikës të Kosovës më 3 nëntor të vitit 2004, që mban numrin e vendimit 4/119 dhe të vendimit me numër 2/57, të datës 13 mars të vitit 2009, me ç’rast është obliguar Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit hapësinor dhe Kuvendi Komunal i Obiliqit, që të reagojnë konform vendimeve të Qeverisë dhe të mos lejohet ndërtim në këto zona me interes të veçantë ekonomik.

Back to top button