Osmani i bëri thirrje Indisë që ta njohë Kosovën

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka bërë thirrje Indisë që ta njohë Kosovën, duke i bërë të ditur se Kosova nuk është Kashmir. Thirrjen e saj për njohje e bëri gjatë një intervistë për median indiane WION, gjatë të cilës Osmani ka kërkuar  nga India që të pranojë realitetin, i cili siç ka thënë, nuk do të ndryshojë.

“Edhe njëherë i bëjmë thirrje qeverisë indiane që mbi të gjitha, të njohë vuajtjet e popullit të Kosovës nga regjimi gjenocidal i Slobodan Millosheviqit, dhe së dyti, të pranojë realitetin i cili nuk do të ndryshojë”, ka thënë Osmani.
WION, shkruan se në vitin 2011, nga të dhënat që kishin rrjedhë përmes WikiLeaks, tregohej se SHBA-ja kishte provuar t’i bënte presion Indisë që ta pranonte Kosovën. Mirëpo New Delhi nuk e ka bërë ende këtë, pasi është e shqetësuar se do të tërhiqej paralele ndërmjet Kosovës dhe Kashmirit në këtë rast.
“Është vetëm çështje kohe kur shtetet si India do t’u bashkohen vendeve të tjera demokratike rreth botës, për të njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Osmani
Sipas saj, mënyra se si Kosova është pavarësuar, e bën të veçantë nga vendet e tjera, përfshirë këtu Kashmirin./21Media
Back to top button