Osmani i kërkon Pahorit t’i jepet shtytja e fundit liberalizimit të vizave për Kosovën

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar nga presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, që shteti i tij t’i japë një shtytje të fundit procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën.
Osmani në një konferencë të përbashktët me Pahorin, tha se Kosova ka besim të plotë se Sllovenia do të mbetet zëri i saj në strukturat ku nuk është e pranishme.
“Ne kemi nevojë për përkrahjen dhe lidershipin tuaj në mënyrë që rrugëtimi jonë drejt strukturave euroatlantike të përmbyllet sa më shpejtë dhe me sukses. Dyert e BE-së dhe NATO-së jo vetëm që duhet të jenë të hapur për vendet që vërtetë i përfaqësojnë dhe frymojnë me vlerat e tyre, por është koha e fundit që të kuptohet qartë se prezenca në këto struktura është garanci për paqe dhe zhvillim të plotë. Ne mbesim besimplotë që Sllovenia vazhdon të mbetet zëri ynë aty ku nuk mund të jemi të pranishëm. Gjersa po i afrohemi liberalizimit të vizave për Kosovën, kërkoj edhe një herë që t’i jepni një shtytje të fundit këtij procesi në mënyrë që edhe qytetarët e Republikës së Kosovë të kenë mundësi ta vizitojë vendin tuaj të bukur por edhe gjithë Evropën njësoj si evropianët e tjerë”, tha presidentja Osmani.
Ajo ka folur edhe për dialogun Kosovë-Serbi, duke thënë se zgjidhja e vetme për paqe dhe stabilitet afatgjatë është njohja reciproke mes dy vendeve. /21Media

Back to top button