Osmani: Interesimi i administratës Trump për Kosovën është rritur

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka shfaqur një interesim të rritur për Kosovën, veçanërisht në raport me dialogun me Serbinë, ruajtjen e paqes dhe stabilitetin në rajon.

Në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, Osmani tha se ky angazhim i shtuar i SHBA-së është në interes të drejtpërdrejtë të Kosovës, duke theksuar se burimi i vetëm i destabilitetit në rajon vazhdon të mbetet Serbia.

Sipas saj, administrata Trump ka qenë e qartë dhe e vendosur në qëndrimin se nuk do të tolerohen veprime destabilizuese apo të dhunshme, duke përmendur edhe sulmin e armatosur në Banjskë në vitin 2023 si shembull të rrezikut që vjen nga Serbia.

“Sa i përket qasjes ndaj Kosovës, administrata Trump është e qartë, dhe këtë po e dëshmon me veprime çdo ditë, që në raport me Kosovën e mbështet fuqizimin e vazhdueshëm të ushtrisë sonë, dhe jam shumë e lumtur që kjo, pas shumë pune që e kemi bërë të gjithë ne së bashku, dhe me ndihmën e komunitetit shqiptar në SHBA, të cilët duhet t’i falënderoj edhe një herë për angazhimin e tyre të palodhshëm, e kemi edhe miratimin e Aktit të Kongresit, që u nënshkrua edhe në ligj nga ana e presidentit Trump” tha ajo.

Back to top button