Osmani: Serbia po e ndihmon Rusinë të hapë një front të ri kundër Perëndimit

(Lajm i përditësuar)


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka akuzuar Serbinë se po e ndihmon Rusinë, në mënyrë që, sipas saj, të shpërqendrohet vëmendja nga lufta që Moska nisi më 2022 kundër Ukrainës, dhe të hapë “një front të ri kundër Perëndimit”.

Gjatë pjesëmarrjes në Samitin për Demokraci të Kopenhagës, Osmani tha se demokracia në botë është në sprovë, pasi sipas saj, autokratët po sulmojnë vazhdimisht vlerat demokratike.

Ajo tha se Kosova e sheh të ardhmen e saj në familjen euroatlantike dhe nuk do të ndalet së punuari në rrugën drejt integrimit euroatlantik.

Por, sipas Osmanit, Serbia fqinje po përpiqet të ndihmojë presidentin rus, Vladimir Putin, që të shtyjë përpara agjendat e tij në Ballkanin Perëndimor.

“Siç e dini, Kosova kufizohet me Serbinë, vend që jo vetëm së voni, por sidomos së voni është dëshmuar të jetë dorë e zgjatur, shumë besnike e Rusisë, që përpiqet të luajë me ato lojërat e [presidentit rus, Vladimir]Putinit në Ballkan Perëndimor duke hapur një front të ri ndaj Perëndimit”, tha Osmani.

“Sepse ky efekti shpërndarës me të cilin Rusia do të arrinte shpërqendrimin e vëmendjes nga Ukraina, kjo do të ishte shumë e nevojshme për ta. Pra, puna që mbajmë bashkë me aleatët tanë, sepse siç e dini kemi një prani të NATO-s në Kosovë, për të siguruar që Kosova të mbetet e sigurt e stabile, është një gjë që bëjmë çdo ditë, çdo orë”, shtoi presidentja e Kosovës.

Serbia ka raporte miqësore me Rusinë dhe është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që u ka rezistuar thirrjeve të bashkësisë ndërkombëtare që të vendosë sanksione kundër Moskës për shkak të luftës së paprovokuar ndaj Ukrainës.

Megjithatë, Serbia ka mbështetur disa rezoluta në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara që kanë dënuar pushtimin rus të Ukrainës.

Gjatë samitit në Kopenhagë, Osmani tha se Kosova ka rritur bashkëpunimin me aleatët e saj për të zmbrapsur çdo qëllim “destabilizues në kufirin verior” – duke iu referuar kufirit me Serbinë.

Në këtë kontest ajo përmendi sulmin e organizuar vitin e kaluar nga një grupi të armatosur serbësh në Banjkës të Zveçanit.


Osmani: Ka mungesë totale të baraspeshës në dialog

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se mungesa e një balance në dialogun Kosovë – Serbi, po e shkatërron kredibilitetin dhe po e bën Kosovën të pyesë nëse është pala e vetme që duhet të zbatojë marrëveshjet.

Osmani duke folur në Samtin e Kopenhagës për Demokraci, ka thënë se derisa Kosova ka shprehur gatishmërinë të zbatojë të gjitha marrëveshjet, Serbia s’po e bën këtë.

“Duam të respektojmë çdo marrëveshje që e kemi arritur në dialog. Por, si në të gjitha kontratat tjera, ka dy palë, e nëse njëra palë nuk zbaton asnjë pikë por minon marrëveshjet, e në rastin e Serbisë thotë publikisht se s’do të zbatojë e se nuk e pranon marrëveshjen, atëherë shtrohet pyetja nëse kemi një marrëveshje. I kemi kërkuar BE-së që palët të zbatojnë paralelisht marrëveshjen. Ne nuk po u ikim obligimeve që vijnë nga marrëveshja, por Serbia duhet të zbatojë në të njëjtën kohë”, ka thënë Osmani. “Obligimi i Kosovës nga marrëveshja, është krijimi i një Asociacioni ndër të tjera, por është me kushtin që Serbia ta bëjë njohjen de facto paralelisht, siç e tha edhe kancelari Scholz e presidenti Macron. Por, Serbia e bën të kundërtën thotë se s’do ta njohim Kosovën as de facto e as de jure, se s’do ta lejojë Kosovën të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare. Atëherë cilat garanci do të kemi që të mos lëmë këtë Asociacion të dalë nga dora. Shikoni me problemet që po përballet Bosnja shkaku i Republika Sërpskas”.

Osmani ka thënë se Asociacioni që i është prezantuar Kosovës nuk ngjason me Republika Sërpskan, porse duhet të kujdeset as të mos jetë “kushëri i largët i saj”.

Ajo është ankuar se derisa Serbisë s’po i bëhet presion, Kosovës po i vendoset edhe kusht që për anëtarësim në Këshill të Evropës të themelohet Asociacioni.

“Të mos krijojmë kokëdhembje për partnerët evropianë e për vete sa i përket sigurisë e stabilitetit. E mënyra e vetme si funksionon kjo, është nëse zbatohet marrëveshja si e plotë. E jo t’i kërkohet Kosovës të zbatojë të gjitha pjesët e saj e Serbisë t’i jepet ‘dritë e gjelbër’ për të kaluar çdo gjë. Si shembull kemi aplikuar për anëtarësim në Këshill të Evropës, kemi kaluar me sukses dy fazat e para, e tash po na thuhet se duhet zbatuar Asociacioni. Kur e pyesim nëse Serbia do ta bëjë zbatimin paralelisht e do të votojë për anëtarësimin e Kosovës në Këshill, askush nuk po i kërkon ta bëjë këtë. Përderisa ekziston kjo mungesë totale e balancit, atëherë shkatërron kredibilitetin e dialogut e po i bënë shumë në Kosovë të pyesin nëse është vetëm një palë që duhet ta zbatojë. Nëse është vetëm një palë që zbaton, cila është ideja e marrëveshjes, e dialogut, pse u ulem me Serbinë dhe u dakorduam për ato marrëveshje. Ofruam për të nënshkruar propozimin franko-gjerman, por Serbia nuk deshi, presidenti i saj Vuçiq tha se po i dhemb dora e majtë, e pastaj e djathta…”, ka thënë Osmani.

Ajo ka thënë se edhe ish-kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, në Samitin BE – Ballkan Perëndimor, para gjithë liderëve të BE-së tha se s’do të zbatojë marrëveshjen. Dhe asnjë liderë apo shtet anëtar nuk e pyeti “si nuk do ta zbatojë kur kemi dakordim”.

“Të gjithë po vinë e po na thonë ne se nuk ka rëndësi çfarë bën Serbia, duhet të zbatoni njëanshëm. Do të bënim po të mos kishte rrezik sigurie nga ky Asociacion. Do të zbatonim po të mos e dinim historinë e Republika Sërpskas, e si më 1991 nisi si Asociacion”, ka thënë Osmani.

Osmani ka thënë se Asociacioni nuk ndihmon të drejtat e minoriteteve në Kosovë. Ajo ka thënë se asnjë vend në Evropë nuk garanton më shumë të drejta kushtetuese për minoritete sesa Kosova. Por, Osmani ka thënë se është dakorduar për Asociacion, porse duhet zbatuar paralelisht marrëveshja.

Osmani ka thënë se Serbia vazhdon të jetë dorë e zgjatur e presidentit rus Vladimir Putin në Ballkan Perëndimor.

“Siç e dini Kosova kufizohet me Serbinë, vend që është dëshmuar të jetë dorë e zgjatur shumë lojale e Rusisë që përpiqet të luajë me ato lojërat e Putinit në Ballkan Perëndimor duke hapur një front të ri ndaj perëndimit sepse ky efekti shpërndarës me të cilin Rusia do të arrinte shpërqendrimin e vëmendjes nga Ukraina, kjo do të ishte shumë e nevojshme për ta. Puna që bëjmë bashkë me aleatët tanë, NATO-n, për të siguruar që Kosova të mbetet e sigurtë e stabile, është një gjë që bëjmë çdo dite, çdo orë”, tha Osmani.

Presidentja e Kosovës tha se Kosova definitivisht do të meritonte të anëtarësohej në Bashkim Evropian deri në vitin 2030.

Ajo thotë se Kosova është shumë më përpara sa i përket pajtueshmërisë me standardet e BE-së. Por, thotë se përkundër se Kosova ka aplikuar për statusin e kandidatit ajo nuk është shqyrtuar fare deri më tash dhe kjo po dërgon mesazh negativ.


Osmani: E ardhmja e Kosovës është në familjen euroatlantike

Presidentja e Kosovës, në Samitin e Kopenhagës për Demokraci, tha se për Kosovën e ardhmja në familjen euroatlantike është vet realiteti. Ajo tha se Bashkimi Evropian dhe NATO mbeten ndër aleancat më të njohura në historinë moderne.

“Jemi dëshmitar të një sulmi të pandalshëm ndaj vlerave demokratike nga autokratët që e shohin demokracinë si kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj ambicieve të tyre. Sa më e madhe të jetë dëshira e tyre për ta minuar demokracinë aq më e fortë duhet të jetë vendosmëria jonë për ta luftuar. Jam krenare që qëndroj në këtë podium të sotëm për të ndarë me juve një këndvështrim në historinë e Kosovës si tregim i shpresës si tregim I demokracisë që jep rezultat”, tha ajo, raporton rtk.

Sipas saj, demokracia më e gjallë në rajonin tonë është testament i vërtetë i asaj se si fati i një populli mund të transformohet kur jepet një rrugëtim drejtë pavarësisë, lirisë e demokracisë duke dalë nga hiri i një lufte gjenocidale.


​Osmani merr pjesë në Samitin e Kopenhagës për Demokraci

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në Mbretërinë e Danimarkës ku do të marrë pjesë në Samitin e Kopenhagës për Demokraci.

Sipas një komunikate të lëshuar nga zyra e presidentes, në Samit, Vjosa Osmani do të ketë fjalim kryesor dhe diskutim mbi përpjekjet e Kosovës për mbrojtjen dhe forcimin e demokracisë, si dhe për rëndësinë e integrimit të Kosovës dhe të vendeve tjera aspiruese në institucionet euroatlantike në dritë të zhvillimeve gjeopolitike.

“Përgjatë vizitës në Mbretërinë e Danimarkës, Presidentja Osmani do të zhvillojë takime me liderë shtetëror. Po ashtu, Presidentja Osmani do ta takojë edhe mërgatën shqiptare në këtë shtet”, thuhet tutje.

Back to top button