Osmani ka pranuar letrat kredenciale nga ambasadori jorezident i Malajzisë, Zahid Rastam

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pranuar letrat kredenciale nga ambasadori jorezident i Malajzisë, Zahid Rastam.
Në takim me ambasadorin Rastam,Osmani, shfaqi besimin se përgjatë mandatit të tij, do të forcohen edhe më tej lidhjet ndërmjet Kosovës dhe Malajzisë.
Në njoftimin për media bëhet e ditur se Osmani theksoi se Kosova ka nevojë për mbështetjen e Malajzisë për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe njohjen nga shtetet e organizatës ASEAN.
Në të njëjtën kohë u diskutua edhe për eksplorimin e mundësive të reja për bashkëpunim me Malajzinë, veçanërisht në sektorë kyç, si: ekonomia, tregtia, arsimi dhe bujqësia, të cilat ofrojnë potencial të jashtëzakonshëm për përfitim reciprok.
Gjithashtu u diskutua edhe për organizimin e një forumi të përbashkët ekonomik, i cili do të jetë mundësi e mirë për shkëmbim ndërmjet bizneseve të të dy shteteve.
Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova mbetet e palëkundur në përkushtimin e saj për promovimin e paqes dhe stabilitetit, si brenda ashtu edhe në rajon./21Media