Osmani kërkoi mbështetjen e Palaut për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare

1 min read

Presidentja e Republikës së Kosovës, ka takuar sot në New York, ministrin e Jashtëm të Republikës së Palaut, Gustav Aitaro me të cilin diskutoi për thellimin e raporteve ndërshtetërore dhe hapjen e kapitujve të ri të bashkëpunimit në fushat me interes të ndërsjellë.

Sipas presidentes Osmani, institucionet e Kosovës kanë prioritet sundimin e ligjit dhe krijimin e vendeve të punës, si dhe forcimin e aleancave.

Në këtë kontekst, ajo shtoi se Kosova është partner kredibil për vendet demokratike anekënd globit dhe po e jep kontributin e saj të vazhdueshëm për paqe e stabilitet në rajon e përtej.

Më tej, Osmani tha se shteti i Kosovës po ndjek me këmbëngulje rrugën drejt integrimit euroatlantik dhe konsolidimit të mëtejshëm të pozitës ndërkombëtare, prandaj thellimi i raporteve me shtete anekënd botës ka rëndësi të madhe.

Në këtë kontekst, presidentja  kërkoi mbështetjen e Palaut për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare./21Media