Osmani: Kosova dhe Zvicra shumë shpejt me marrëveshje për tregti të lirë

Presidentja Vjosa Osmani është takuar me presidentin zviceran Guy Parmelin, me të cilin ka biseduar për bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve, me theks në sektorin e ekonomisë, të arsimit, bujqësisë e shëndetësisë.
“Marrëdhëniet e shkëlqyeshme ndërmjet dy vendeve e dy popujve tanë tashmë kanë krijuar bazë të fuqishme për të hapur kapituj të rinj të bashkëpunimit, prandaj edhe biseda jonë u fokusua në zgjerimin e këtij bashkëpunimi në sektorin ekonomik, të arsimit, bujqësisë e shëndetësisë”, ka shkruar Osmani në Facebook.
Tutje, ajo ka thënë se “dy vendet tashmë po negociojnë nënshkrimin e Marrëveshjes për Tregti të Lirë dhe kjo do të zgjerojë lidhjet tona ekonomike të cilat tashmë kanë ngritje të madhe falë mërgatës sonë të jashtëzakonshme”.
Nisur nga zhvillimet e fundit me pandeminë, Osmani ka theksuar edhe njëherë rëndësinë e vaksinimit si mundësia më e mirë për të shpëtuar jetë dhe për të luftuar pandeminë. Me këtë rast, ajo ka thënë se Kosova do të vazhdojë të ketë nevojë për asistencën e vendeve mike për sigurim të dozave shtesë të vaksinës.
Ndryshe, Osmani po merr pjesë në Forumin Ekonomik të Zvicrës. Dje ajo ka prezantuar potencialin ekonomik të Kosovës përpara rreth 1 mijë e 500 përfaqësuesve të komunitetit të biznesit, akademikëve, politikanëve e përfaqësuesve të mediave zvicerane në këtë forum./21Media

Back to top button