​Osmani: Kosova nuk i ikë obligimeve, Serbia t’i respektojë marrëveshjet

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka deklaruar se Asociacioni i komunave me shumicë serbe, duhet të jetë në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe për këtë janë në koordinim të vazhdueshëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, pasi nëse zyrtarët e BE-së, kërkojnë që në statutin për Asociacionin të merren parasysh propozimet e Serbisë, ka rrezik të shkohet drejt defunksionalizimit të shtetit.

Osmani i bëri këto komente pas ceremonisë së betimit dhe marrjes së detyrës së presidentit të Malit të Zi,

Ajo tha se po punojnë që garancitë e partnerëve tanë të zbatohen edhe në praktikë, në mënyrë që mos të tejkalohen këto linja të kuqe dhe të respektohet sovraniteti dhe integriteti territorial, por edhe funksionalizimi i brendshëm i shtetit.

“Kosova nuk i ikë obligimeve të saj por në të njëjtën kohë ne kërkojmë që të gjithë partnerët tonë ndërkombëtar të jenë të qartë sa i përket shkeljeve të cilat i ka bërë Serbia në raport me marrëveshjet e arritura në Bruksel dhe në Ohër, respektivisht, neni 4 i marrëveshjes i cili kërkon që Serbia të mos kundërshtoj anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare. Për këtë arsye ne do të koordinohemi vazhdimisht me SHBA dhe BE dhe nuk kemi asnjë interesim dhe as qëllim që të ikim nga obligimet tona por gjithnjë duke përsëritur që Asociacioni duhet patjetër të jetë në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015 dhe në asnjë moment mos të ketë ndonjë element që ta bëjë shtetin e Kosovës jofunksional”, tha ai.

Osmani është pyetur se nëse edhe dikush tjetër përveç Serbisë po kërkon Asociacion të komunave me shumicë serbe, me kompetenca ekzekutive.

“Problemi është që në qoftë se zyrtarët e Bashkimit Evropian kërkojnë që edhe vet statuti të jetë një mes të asaj se çka kërkon Serbia dhe çka propozon Kosova, aty gjithnjë ka rrezik në qoftë se merren elementet të propozimit të Serbisë, gjithnjë ka rrezik që mund të shkoj drejt defunksionalizimit. Por ne po punojmë që garancitë e partnerëve tanë të zbatohen edhe në praktikë në mënyrë që mos të tejkalohen këto linja të kuqe dhe të respektohet sovraniteti dhe integriteti territorial por edhe funksionalizimi i brendshëm dhe parimi i unitaritetit të shtetit”, tha ai.

Përndryshe, Osmani ishte në ceremoninë e betimit të Presidentit të ri të Malit të Zi, Jakov Millatoviq, ku morën pjesë edhe presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, si dhe anëtarët e presidencës së Bosnje-Hercegovinës, Zheljka Cvijanoviq dhe Zheljko Komshiq. Në inaugurim po ashtu kanë marrë pjesë përfaqësues të autoriteteve ekzekutive dhe gjyqësore dhe të trupit diplomatik në Mal të Zi, si dhe ish-presidentë të shtetit, Qeverisë dhe Kuvendit. Aty u panë edhe të dërguarit special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe Stuart Peach.

Presidenti i sapozgjedhur i Malit të Zi, Jakov Millatoviq bëri sot betimin në Kuvend, duke marrë zyrtarisht detyrën e presidentit. Ai tha se procesi i Berlinit për vendin e tij mbetet ura kryesore ndërmjet Ballkanit Perëndimor dhe Brukselit, por gjithashtu mund të edhe nismat ekonomike rajonale. Millatoviq shtoi se anëtarësimi i vendit të tij në Bashkimin Evropian është prioritet i të gjitha prioriteteve dhe se afrimi i rajonit tonë drejt BE-së, është ilaçi më i mirë kundër rishpikjes së politikave destruktive të së shkuarës.

Back to top button