Osmani: Kosova së shpejti do të prodhojë municione dhe dronë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në konferencën e përbashkët me shefin e NATO-s, Mark Rutte, ka thënë se Kosova së shpejti do të prodhojë municione dhe dronë.
“Ne dëshirojmë të thellojmë partneritetin tonë me NATO-n dhe të gjithë aleatët si shtete anëtare duke e zhvilluar çdo ditë e më shumë ushtrinë tonë, FSK-në, në një Forcë bashkëkohore, profesionale dhe ndërvepruese me forcat partnere në shërbim të paqes, stabilitetit dhe sigurisë kudo në botë. Kosova tashmë e ka arritur objektivin e NATO-s prej 2 për qind të GDP-së për investime në mbrojtje dhe synojmë në një kohë rekord ta dyfishojmë këtë përqindje të investimeve në sektorin e mbrojtjes”, tha Osmani.
Ajo shtoi se për t’u arritur kjo, “duhet bashkëpunim më aktiv me NATO-n dhe shtetet anëtare dhe partnere”.
“Po ashtu, Kosova së shpejti do të fillojë edhe me prodhim të dronëve dhe municioneve duke e pozicionuar vetën si një partner strategjik në fushën e mbrojtjes”, tha Osmani.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?