Osmani, Kurti e Konjufca presin të mbijetuarit nga aksidenti në Kroaci

Kanë mbërritur sonte në Kosovë 27 bashkatdhetarë, të cilët i mbijetuan aksidentit tragjik në Slavonski Brod të Kroacisë. Në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës ”Adem Jashari” ata janë pritur nga Presidentja, Vjosa Osmani, Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca dhe Kryeministri, Albin Kurti.
Prijësit e institucioneve shprehën ngushëllime për jetët e humbura në aksidentin tragjik dhe të lënduarve u uruan shërim të shpejtë, duke i siguruar se do ta kenë përkujdesin institucional.
Presidentja Osmani tha se në tragjedinë e Slavonski Brodit nuk i humbëm vetëm bashkatdhetarët tanë. Aty humbëm një copë të shpirtit tonë, një pjesë të asaj që është shtylla jonë e përbashkët e dhimbja jonë e përhershme që janë mërgimtarët.
Në emër të qytetarëve të Kosovës, Osmani u shpreh mirënjohëse për ndihmën e pakursyeshme që kanë dhënë për menaxhimin e kësaj situate të rëndë, të gjitha institucionet shtetërore të Kroacisë.
Ndërsa, Glauk Konjufca iu shprehu ngushëllime familjarëve që humbën më të dashurit në aksidentin tragjik dhe u dëshiroi shërim sa më të shpejtë të lënduarve.
”Institucionet e vendit do të jenë pranë jush për të përballuar bashkërisht këto momente të vështira për të gjithë ne”, tha Konjufca.
Kurse, Albin Kurti theksoi se për shqiptarët e mërguar, jeta është numërim ditësh deri te ardhja e radhës në atdhe.
”Pavarësisht se sa të mëdha janë distancat, ato zvogëlohen, se maten me zemër. Këtë të diel, rruga e gjatë nuk solli në atdhe një pjesë tonën të mërguar. Solli dhimbje për mbarë popullin. Këtë dhimbje sot e ndajmë bashkë dhe qëndrojmë të bashkuar në këtë tragjedi, si një familje e madhe që jemi. Ai i siguroi se Qeveria do të përpiqet me të gjitha mundësitë që t’ua lehtësojë sadopak dhimbjet dhe pasojat nga aksidenti”, thuhet në komunikatë.
Qeveria e Kosovës ka organizuar transportimin dhe përcjelljen e bashkatdhetarëve nga aeroporti deri te familjet, në vendbanimet e tyre./21Media

Back to top button