Kaloni te përmbajtja kryesore

Osmani: Luajtja bixhoz me aleancat cenon vetë mbrojtjen e Kosovës

(Lajm i përditësuar)

Osmani: Luajtja bixhoz me aleancat cenon vetë mbrojtjen e Kosovës

Në adresimin vjetor para Kuvendit të Kosovës, Presidentja Vjosa Osmani ka deklaruar se bashkëpunimi dhe koordinimi me aleatët nuk është nënshtrim e as shantazhim. Osmani ndër tjera ka thënë se vënia në rrezik, luajtja bixhoz apo cenimi i këtyre aleancave, e cenon vetë mbrojtjen e Kosovës.

”Aleancat janë për të na mbrojtur, prandaj vënia në rrezik, luajtja bixhoz me to apo cenimi i tyre, e cenon vetë mbrojtjen e Republikës sonë. Shihni deklarimet e superfuqive botërore: do të shihni qindra fjalime se si çdo sfidë angazhohen ta kapërcejnë bashkë me aleatët sepse nuk munden t’ia dalin të vetëm. Prandaj asnjëherë nuk e kam kuptuar e as mirëkuptuar, as talljet që bëhen në llogari të aleatëve, as sulmet ndaj tyre, e as keqpërdorimin e emrit të tyre për të fituar pushtet. As njëra e as tjetra nuk i bën nder Kosovës. Përkundrazi, duhet shumë punë e shumë angazhim për mirëmbajtjen e aleancave e partneriteteve bazuar në parime e vlera. Vetëm kjo rrugë mund t’i çojë interesat e Kosovës përpara”, ka thënë Osmani.

Osmani: Qasja e BE-së është e pa balancuar në dialogun me Serbinë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në fjalimin  e saj para deputetëve të Kuvendit tha se dialogu Kosovë-Serbi i udhëhequr nga BE nuk ka qenë i balancuar.

‘’Dialogu me Serbinë i udhëhequr nga BE ka qenë komplet i pa balancuar me një trajtim të pa drejtë të Kosovës. Shteti që kreu agresin në Kosovë nuk është nën masa, por viktima Kosova jo’’, tha Osmani.

PDK-ja dhe AAK-ja bojkotojnë seancën e thirrur nga presidentja

Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka refuzuar pjesëmarrjen në seancën e thirrur për adresimin vjetor të presidentes Vjosa Osmani. Sipas tyre, presidentja ka vazhduar të mos përmbushë rolin dhe funksionin kushtetues.

PDK refuzon seancën e thirrur nga presidentja

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, refuzon edhe këtë vit pjesëmarrjen në seancën e thirrur për adresimin vjetor të presidentes Vjosa Osmani, ngase sipas tyre e njëjta ka vazhduar të sillet me mospërmbushje shqetësuese të rolit dhe funksionit të saj kushtetues.

“Znj. Osmani si presidente duke qenë njëkohësisht edhe udhëheqëse e politikës së jashtme ka dështuar përfundimisht në realizimin e ndonjë suksesi të vetëm në përfaqësimin dhe bashkëpunimin ndërkombëtar të Kosovës. Si presidente, nuk ka arritur që Kosovës t’i siguroj qoftë edhe një njohje të vetme, siç ka dështuar në fushën e antarësimit të vendit në ndonjë organizatë ndërkombëtare. Për më tepër, si presidente ka vazhduar të qëndroj e heshtur ndaj masave dhe sanksioneve që BE i ka vënë Kosovës si rezultat i çasjes destruktive të qeverisë dhe në asnjë rast të vetëm nuk është sjellur dhe nuk ka vepruar si kundër-balancuese e politikave të gabuara të qeverisë të cilat vendin e kanë ekspozuar përballë izolimit ndërkombëtar”, thuhet në njoftim.

Osmani sipas PDK-së edhe në vitin e katërt të mandatit të saj, ka vazhduar të sillet në shpërputhje të plotë me rolin e saj kushtetues për të përfaqësuar unitetin e popullit duke demonstruar njëanëshmëri ndaj Albin Kurtit.

“Ndërkaq, edhe si Komandante Supreme e Forcës së Sigurisë së Kosovës ka heshtur përballë skandalit të pashembullt të dështimit të sigurimit të ushqimit për ushtrinë tonë. Nga ana tjetër, ka vazhduar të hesht edhe përballë aferave të vazhdueshme korruptive të qeverisë, siç nuk e ka marrë asnjë edhe një masë për shkarkimin e protagonistit të aferës së energjisë, ambasadorit Martin Berishaj, vendimi për emërimin e të cilit e mban vulën e saj. Për më keq, ka vazhduar ta mbroj ambasadorin Berishaj dhe çdo skandal tjetër që ka ndodhur gjatë këtij viti. Edhe këtë vit, jo vetëm që i ka mbyllur sytë përballë skandaleve dhe aferave korruptive të kësaj qeverie, por i është bashkuar fushatës qeveritare për të sulmuar institucionet e pavarura të drejtësisë dhe në rastin më të keq ka vazhduar shkeljen e saj kushtetuese për mosdekretimin e Kryeprokurorit të Shtetit”, thuhet në njoftim.

Tutje PDK thotë se presidentja praktikisht në vend se të mbështeste në mënyrë institucionale pavarësinë dhe integritetin e institucioneve të drejtësisë, ajo ka penguar punën e tyre, duke penguar kështu edhe luftën kundër korrupsionit dhe dukurive negative.

“Tashmë kur janë mbushur gati katër vite të mandatit të saj si presidente, ajo ka dështuar për të lënë një gjurmë të vetme të suksesshme për Kosovën, ndërsa roli i saj tërësisht i pavërejtshëm është kthyer në një faktor të dëmshëm për shtetin e Kosovës dhe qytetarët e saj. Fatkeqësisht, kontributi i vetëm i saj në këto katër vite është zbehja e rolit dhe rëndësisë së institucionit të Presidentit si dhe promovimi i gjuhës polarizuese dhe përçarëse në skenën politike. Një presidente e tillë e cila e redukton pozitën e Institucionit të Presidentit si një mekanizëm për akomodimin e interesave familjare dhe partiake nuk e meriton respektin e Grupit Parlamentar të PDK-së”, thuhet në njoftim.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button