Osmani: Për herë të parë në këtë qeveri ka një përfaqësim nga gratë për rreth 33 për qind

Osmani: Për herë të parë në këtë qeveri ka një përfaqësim nga gratë për rreth 33 për qind

Grupi për Ballkan ka organizuar konferencën me temën “Fuqizimi i rolit të grupit të grave deputete përmes bashkëpunimit rajonal dhe zhvillimit të marrëdhënieve me media”.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani tha se fitueset e vërteta të zgjedhjeve të 6 tetorit janë gratë pasi që një numër i madh i tyre u bënë pjesë e Kuvendit të Kosovës pa pasur nevojë për kuotë. Ajo tha se për herë të parë në këtë qeveri ka një përfaqësim nga gratë për rreth 33 për qind.

Osmani deklaroi se pas kësaj arritje ajo që duhet të bëjnë gratë deputete dhe ato në qeveri është që të merren me zgjidhjen e problemeve në shoqëri e në veçanti të grave dhe vajzave.

Kryeparlamentarja, Vjosa Osmani tha se kuota gjinore mund të largohet vetëm atëherë kur ka përfaqësim 50 përqind të grave.

Osmani adresoi kritika karshi organizatave të cilat sipas saj për tematikat e rëndësishme për vendin ftohen vetëm burrat e partive për diskutim, ndërsa gratë ftohen vetëm kur bëhet fjalë për fuqizimin e grave.

“Pavarësisht a flasin për tarifë, dialog, ekonomi të ftohen gratë të jenë pjesë në këto diskutime, përmirësimin e imazhit të shtetit mund të bëhet nëse e gjithë shoqëria është e përfshirë në atë imazh”, tha ajo.

Alan Boëman, ambasador i Kanadasë në Kosovë tha se në këtë shtet fuqizimi dhe barazia gjinore është në thelb të politikave kanadeze.

Ai ofroi një bashkëpunim të madh në fushën e fuqizimit të grave në Kosovë.

Fatmire Kollçaku, nënkryetare e Lëvizjes Vetëvendosje, tha se prezenca e grave në etapa të ndryshme ka luajtur rol të rëndësishëm në shtet ndërtimin e Kosovës.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu u pajtua që në zgjedhjet e fundit ka pasur avantazh në pozicionimin e grave në pozita udhëheqëse por edhe në parlament.