Osmani në 50-vjetorin e Akademisë së Shkencave: Themeli i mendimit shtetformues të Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës mbajti sot fjalim në shënimin e 50-vjetorit të themelimit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (AShAK), duke e cilësuar këtë institucion si qendrën ku u formësua mendimi politik, kulturor dhe shtetformues i vendit.

Në këtë ceremoni solemne morën pjesë presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, kryeministri  në detyrë, Albin Kurti, presidenti i parë i Kosovës, Fatmir Sejdiu, drejtues të akademive shqiptare dhe përfaqësues të institucioneve vendore e ndërkombëtare.

Presidentja vlerësoi kontributin pesëdekadësh të akademikëve, të cilët, sipas saj, edhe në rrethana tejet të vështira, kanë punuar për mbrojtjen e gjuhës, kulturës dhe interesit kombëtar, duke lidhur Kosovën me qendrat botërore të dijes.

Ajo kujtoi me mirënjohje figurat e shquara të Akademisë, si kryetarin e parë Esad Mekuli, akademikun Gazmend Zajmi – hartues i Kushtetutës së Kaçanikut dhe Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut 1990 – si dhe presidentin historik Dr. Ibrahim Rugova, anëtar korrespondent i Akademisë që nga viti 1996.

Presidentja theksoi se “nuk mund të ketë shtet të fortë pa shkencë të fortë”, duke shtuar se Akademia është ndër institucionet që i japin shtetit substancën e dijes, mendimit kritik dhe vizionit për të ardhmen.

Ajo vuri në pah rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, duke e cilësuar këtë bashkëpunim si strategjik për zhvillimin kombëtar dhe rajonal.

Në fjalimin e saj, Presidentja theksoi po ashtu rolin e Akademisë në ruajtjen e së vërtetës historike për krimet e kryera nga Serbia në Kosovë, duke nënvizuar se dokumentimi shkencor i gjenocidit mbetet mision i domosdoshëm për mbrojtjen e dinjitetit të viktimave dhe të luftës çlirimtare.

Në fund, ajo i falënderoi të gjithë akademikët për kontributin e dhënë përgjatë 50 vjetëve dhe kërkoi vazhdim të përkushtimit për zhvillimin e dijes, kërkimit shkencor dhe kulturës në Kosovë.

Back to top button