Osmani në Panama, takohet me homologun e saj

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe homologu i saj nga Panamaja, Laurentino Cortizo Cohen diskutuan sot mbi forcimin e bashkëpunimit ndërshtetëror në fushat e interesit të përbashkët, si dhe për përkrahjen që i duhet Kosovës në procesin e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.
Në një postim në Facebook, e para e shtetit ka thënë se në Panama është pritur me nderime shtetërore dhe se vizita e saj hap një kapitull të ri bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve.
“Përkrahja për Kosovën nuk ka munguar në asnjë kënd të botës, andaj mbështetja e aleatëve tanë si Panamaja është vendimtare për forcimin e pozitës sonë ndërkombëtare. E falënderova presidentin Cortizo për mbështetjen e palëkundur, e cila i ka themelet në vlerat tona të përbashkëta demokratike”, ka shkruar Osmani.
Osmani ka treguar se përgjatë takimit, ndër të tjera u diskutuan hapat e mëtejmë për ta forcuar bashkëpunimin ndërshtetëror në të gjitha fushat e interesit të përbashkët, përfshirë tregtinë, arsimin, kulturën, ndërmarrësinë si dhe për përkrahjen që i duhet Kosovës në procesin e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare./21Media

Back to top button