Osmani në Slloveni, pritet nga Pahor
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka arritur në Slloveni, ku do të marrë pjesë në takimin e presidentëve të rajonit në procesin Brdo-Brione.
Ajo është pritur nga Presidenti slloven, Borut Pahor.
“E kënaqur që jam kthyer në Slloveni për takimin e udhëheqësve të Procesit Brdo-Brione. Pres me padurim diskutimin e masave konkrete në tejkalimin e sfidave aktuale dhe riafirmimin e përkushtimit të vendosur të Kosovës për integrimin euroatlantik dhe paqen e qëndrueshme në rajon.”, ka shkruar Osmani në Twitter, me ç’rast ka publikuar edhe një fotografi.
Temat që do të diskutohen në këtë takim përfshijnë perspektivën e integrimit evropian për vendet aspiruese të Ballkanin Perëndimor, të cilat i përmbushin kushtet për integrim dhe të cilat i bashërendojnë politikat me ato të Bashkimit Evropian, tejkalimin e sfidave të përbashkëta si pasojë e agresionit të paprovokuar të Rusisë në Ukrainë, përfshirë krizën energjetike dhe sigurinë ushqimore; si dhe përkushtimin për demokraci, paqe dhe dialog.
Presidentja Osmani do t’i paraqesë qëndrimet e Republikës së Kosovës lidhur me temat që do të trajtohen në këtë proces, përfshirë thirrjen për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, si dhe avancimin e rrugës euroatlantike të vendit tonë.
Takimi i Procesit Brdo-Brione do të mbahet në Bërdo afër Kranjit në Slloveni nën udhëheqjen e presidentit të Sllovenisë, Borut Pahor dhe presidentit të Kroacisë, Zoran Milanović./21Media