Osmani: Në vend të grevës, duhet t’i jepet mundësi dialogut

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar për mosfillimin e procesit mësimor, duke ftuar palët e përfshira në këtë çështje që bojkotin e procesit mësimor ta zëvendësojnë me dialog.
“Çdo 1 shtator kemi uruar nxënësit e mësimdhënësit tanë për një vit shkollor të mbarë. Sot në vend të urimit, duhet të dërgojmë mesazh reflektimi, shkaku i grevës dhe mosfillimit të procesit mësimor, duke ftuar palët e përfshira në këtë çështje që bojkotin e procesit mësimor ta zëvendësojnë me dialog”, ka shkruar Osmani në llogarinë e saj “Facebook.
Presidentja ka shkruar se Sindikata e arsimit parauniversitar ka të drejtë t`i adresojë shqetësimet në raport me mirëqenien e mësimdhënësve dhe pagave të tyre, por gjithmonë duke shmangur dëmin e pariparueshëm që i bëhet interesit të nxënësve nga ndalimi i procesit mësimor.
E para e vendit ka theksuar se institucionet e Kosovës janë duke realizuar reforma për përmirësimin e sistemit arsimor, rritjen e cilësisë, aftësimin e të rinjve për tregun e punës, sikurse edhe për përmirësimin e pozitës materiale të mësimdhënësve. “Prandaj edhe është proceduar Projektligji për pagat, i cili parasheh përmirësimin e pozitës për mësimdhënësit”.
“Fillimi i procesit mësimor për nxënësit tanë duhet të jetë i pakushtëzuar. Secili veprim i institucioneve dhe sindikatave duhet të jetë në shërbim të nxënësve dhe përmirësimit të cilësisë së sistemit arsimor. Ne i detyrohemi nxënësve, ndaj secili punonjës arsimor, sikurse edhe sindikata e arsimit duhen të jenë, në radhë të parë, në funksion të interesit të nxënësve. Si Presidente e vendit, jam për përmirësimin e pozitës së mësimdhënësve dhe rritjes së cilësisë në arsim duke e ditur se arsimi cilësor është bazamenti i një shteti e shoqërie të suksesshme. Por, jam në anën e nxënësve. E drejta u takon vetëm atyre! Atyre duhet t`ua ofrojmë dhe mbrojmë të drejtën për edukim dhe arsimim! E grevës duhet t`ia zë vendin dialogu!”, ka shkruar ajo.
Presidentja Osmani ka thënë se zyra e saj ka kontaktuar me të gjitha palët dhe po angazhohet për ta gjetur një zgjidhje të pranueshme që ka në fokus interesin e nxënësve dhe të gjithë sistemit arsimor./21Media

Back to top button