Osmani: Nëse dikush bën dialog për urën e Ibrit me Serbinë, shkel sovranitetin e Kosovës

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani tha se tema e Urës së Ibrit nuk duhet të diskutohet me Serbinë. Sipas saj nëse dikush e bën një gjë të tillë atëherë shkel sovranitetin e Kosovës.

“Sa i përket temave, për atë duhet ta pyesni kryenegociatorin se për çfarë tema është dakorduar, sepse është thënë në publik se janë dakorduar për disa tema së bashku me zotin Lajçak. Mirëpo, po e përsëris, në qoftë se dikush bën dialog për urën e Ibrit me Serbinë, kjo është shkelje e sovranitetit, e Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe në asnjë moment nuk është në interes të Kosovës që kjo temë të jetë pjesë e dialogut me Serbinë”, tha Osmani.

Mirëpo siç tha ajo  çështja e hapjes së urës kryesore “patjetër duhet të diskutohet, të dialogohet me partnerët tanë të sigurisë”, sepse “edhe vetë marrëveshjet e Brukselit e kërkojnë një gjë të tillë”.

“Ato në të cilat ne po thirremi dhe po themi është paraparë hapja e urës më 2016-ën dhe 2017-ën, po ashtu parashohin rolin e Policisë së Kosovës, EULEX-it, KFOR-it, kryetarit të Mitrovicës së Jugut dhe të Veriut, shoqërisë civile dhe të tjera. Pra, janë detyrime që dalin edhe nga vetë marrëveshjet e dialogut, por mbi të gjitha është interes i Kosovës që ne të punojmë me partnerët tanë të sigurisë, ta kemi këtë plan i cili pastaj do të zbatohet dhe kur të hapet ura do të jetë vendim i qëndrueshëm që nuk do të mund të sfidohet, as nuk do të duhej të sfidohet nga askush”, deklaroi  presidentja në një konferencë për media, pas lansimit të Qendrës së Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Kosovë.

Back to top button