Osmani: Nëse s’ka qeveri të dielën, do t’i ftoj partitë për të parë nëse ndonjëra mund ta bëjë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se ka parë raporte që kanë të bëjnë me tendencat e Serbisë për të destabilizuar vendin pranverën e sivjetme.
Në një intervistë për Deutsche Welle, e para e shtetit tha se këtë, shumë të tjerë nuk duan të flasin publikisht për këtë zhvillim.
“Serbia ka pasur tendenca destabilizimi edhe sivjet në pranverë, dhe me ndihmën e aleatëve tanë i kemi parandaluar. Ka shumë që nuk duan të tregojnë publikisht se çfarë ka ngjarë. Unë i kam lexuar raportet e institucioneve tona, e di çfarë ka synuar Serbia. Kur informacionet janë të klasifikuara…natyrisht unë si Presidente kam të drejtë të deklasifikojë informacione, mirëpo mendoj që nuk është e drejtë që t’ua vështirësojë punën institucioneve tona të sigurisë. Ata duhet të vazhdojnë të mbledhin informacione, dhe të jenë të gatshëm që të na informojnë në mënyrë që të parandalojmë çdo tendencë destabilizuese të Serbisë”, tha Osmani.
Osmani gjatë intervistës gjithashtu ka folur edhe për seancën e thirrur për të dielën për formimin e Qeverisë, e ka thënë se nëse nuk ka marrëveshje për qeveri të re, do t’i ftojë të gjitha partitë për konsultime.
“Nëse ka marrëveshje, mund të mbahet seanca dhe mund të ketë qeveri. E nëse s’ka marrëveshje, si presidente, do t’i ftoj të gjitha partitë politike nëse ka mundësi që dikush të krijojë shumicën. Mendoj se është herët të flasim për zgjedhje të parakohshme, por është alternativë nëse nuk krijohet shumica”, u shpreh Osmani.