Osmani nga Prekazi: Adem Jashari është hero i dinjitetit tonë!

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani për nder të 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit dhe ditëlindjes së komandantit legjendar, Adem Jashari, bëri homazhe në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
E para e vendit duke e kujtuar komandantin tha se ai ishte “i vendosur, guximtar e luftarak”.
“I vendosur, guximtar e luftarak. Ky është komandanti legjendar i UÇK-së, Adem Jashari. Në shënimin e ditës së lindjes, u përulëm para varrit të tij dhe familjarëve, të cilët u bën fli për lirinë tonë. Ai hyri një herë në histori për të mbetur përherë dhe për t’u kujtuar veçanërisht më 28 nëntor, krahas Ditës së Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë. Një ditë dhe tri data historike”, ka shkruar ajo në llogarinë e saj “Facebook” duke thënë se “Adem Jashari është hero i dinjitetit tonë! Ai është i gjallë”.
Pas homazheve, Osmani ka vizituar edhe kullën e Rifat Jasharit, e shoqëruar nga ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.
Adem Jashari sot po të ishte gjallë do t’i bënte 67 vjet. Ai ka lindur më 28 nëntor të vitit 1955 në Prekaz të Skenderajt./21Media

Back to top button