Osmani njofton se ka parashtruar kërkesë në Kushtetuese për sqarim rreth konstituimit të Kuvendit

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka njoftuar se ka parashtruar kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për sqarim rreth situatës pas kalimit të afatit kushtetues prej 30 ditësh për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Osmani do të kërkojë sqarime shtesë rreth asaj se si do të ecët tutje pas 26 korrikut.
Në një konferencë për media të martën pasdite, Osmani theksoi se kërkesa që e dorëzoi në gjykatë ka karakter preventiv dhe është e nevojshme për të garantuar funksionimin demokratik të institucioneve në vend. Ajo pret nga gjykata të shqyrtojë “konfliktin e kompetencave kushtetuese të krijuara nga moskonstituimi i Kuvendit”.
“Çdo moszbatim duhet të ketë pasoja juridike, por ato deri më tani nuk janë sqaruar. Kërkesa jonë në thelb është për qartësimin e këtyre pasojave nëse Kuvendi nuk konstituohet në kohë. Kjo është një përpjekje për të parandaluar pasoja të pariparueshme për rendin kushtetues të vendit”, ka thënë Osmani.