Osmani: Orientimi i Kosovës është anëtarësimi në BE
Sipas Apostolovës, zgjedhja e Osmanit kryetare e Kuvendit paraqet politikën e fuqizimit të grave
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani dhe shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë Nataliya Apostolova janë pajtuar për forcimin e bashkëpunimit reciprok në fushën e legjislacionit.
Pas takimit, kryetarja e Kuvendit të Kosovës tha se orientimi i popullit të Kosovës e po ashtu edhe institucioneve të vendit vazhdon të mbetet anëtarësimi në BE.
”Tash e tutje është tejet me rëndësi që në krye të institucioneve tani e tutje kemi njerëz që ka më shumë se 20 vjet kanë punuar në ndërtimin e relacioneve me shtetet e BE individualisht, por edhe me BE në tërësi. Dhe e kuptojnë me të drejtë që orientimi i qartë strategjik i popullit të Kosovës dhe institucioneve të Kosovës është anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe në institucionet tjera euroatlantike”, tha Osmani.
Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalyia Apostolova tha se zgjedhja e Vjosa Osmanit në postin e kryetares së Kuvendit paraqet politikën e fuqizimit të grave, gjë që tha se janë duke e promovuar për shumë vjet në Kosovë.
“Ne u pajtuam me kryeparlamentaren e re se ne do të forcojmë bashkëpunimin tonë. Ne jemi duke pritur tani për formimin e komisioneve të ndryshme dhe natyrisht ne dhe ju do të angazhohemi, si gjithmonë duke filluar të punojmë në pjesë të ndryshme të legjislacionit”, deklaroi ndër tjerash Apostolova.