Osmani për BBC: Brenda 2-3 ditëve dihet data kur vijnë refugjatët e parë afganë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për BBC ka folur për situatën në Afganistan dhe gatishmërinë e Kosovës për të strehuar refugjatët afganë para se ata të sistemohen në SHBA.
“Janë skena zemërthyese. Si ish-refugjate po e ndiejë këtë vërtetë, çdo ditë të kësaj tragjedie humanitare dhe absolutisht asnjëri nuk mund të them se largohet nga shtëpia me dëshirë, vetëm nëse aty ka dhunë të jashtëzakonshme apo terror. Siç mund të shohim tash në rastin e Afganistanit”, ka thënë Osmani.
Ajo ka treguar se është arritur marrëveshja me SHBA-në në korrik për të pranuar refugjatë afganë, por se askush nuk ka pritur se e gjithë kjo do të ndodhte aq shpejt.
“Sado hapësirë që të kemi do ta përdorim për të strehuar ata. Ndoshta do të kemi disa që vijnë më shpejt se që kemi pritur. Në fillim kemi menduar se do të ndodhë pas disa jave e do të kemi kohë për t’u përgatitur. Por duket se nevoja për disa është më e madhe se për disa tjerë. Jemi në kontakt me partnerët tanë amerikanë dhe do të dihet pas 2-3 ditëve koha e saktë se kur do të vijnë refugjatët e parë”, ka thënë Osmani.
Presidentja u ka bërë thirrje gjithë qeverive demokratike që të hapin dyert për refugjatët afganë./21Media

Back to top button