Osmani për ditëlindjen Kadaresë: E gëzofsh ditëlindjen, mjeshtër
Shkrimtari i njohur shqiptar, Ismail Kadare sot feston ditëlindjen e 86-të.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka uruar shkrimtarin të cilin ajo e quan “mjeshtër të vargut e fjalës dhe mbrojtës të kulturës perëndimore të shqiptarëve”.
“Në jetën e kombeve ndodh jo rrallë që njerëzit e kulturës, të artit e të letrave, t’i japin udhë kombit në çastet më të vështira të historisë së tij, duke qenë artikuluesit më të mëdhenj të idesë së lirisë”, ka shkruar Osmani në llogarinë e saj “Facebook”.
Presidentja Osmani përmes një shkrimi ka thënë se Kadare arriti që ta shpërfaqte shpirtin e lirë të kombit, historinë, traditat, kulturën e përkatësinë (identitetin) e tij, kur diktatura po bënte përpjekje ta tjetërsonte atë.
“Bota e njeh sot traditën, kulturën e shpirtin e shqiptarëve nëpërmjet veprave të tij, pa pasur nevojë për mësues historie.
Kombi ynë i është mirënjohës përjetësisht këtij kolosi të letrave. Kosova, në mënyrë të veçantë, i përulet për peshën e rrallë të fjalës së tij. E gëzofsh ditëlindjen, mjeshtër! Paç shëndet!”, ka shkruar tutje ajo.
Ismail Kadare është një ndër shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë. Veprat e tij janë përkthyer në rreth 45 gjuhë të ndryshme, duke qenë kështu përfaqësues kryesor i letërsisë shqipe nëpër botë./21Media