Osmani pranoi letrat kredenciale nga Hovenier, ambasadori flet shqip: I lumtur që jam këtu

Jeff Hovenier sot ka nisur zyrtarisht detyrën si ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pranuar letrat kredenciale nga ambasadori i cili është emëruar në këtë post nga presidenti Joe Biden në korrik 2021.
Osmani ka thënë se marrëdhënia e ngushtë me ShBA-të mbetet e ndryshuar.
“Kosova sot është shumë ndryshe nga Kosova të cilën e kujton ambasadori sepse ka ecur përpara, por një gjë është e njëjtë, marrëdhënia me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Jemi të bekuar të kemi ShBA-të pranë nesh me çdo hap të rrugëtimit tonë. Në këtë kapitull të ri të bashkëpunimit shpresoj të forcojmë edhe me tej marrëdhëniet tona. Besoj fuqishëm se pavarësisht sa i madh apo i vogël mund të jetë një shtet ne te gjithë mund të japim kontribut për paqen në rajon dhe botë”, ka thënë Osmani.
Presidentja i ka garantoi ambasadorit se SHBA nuk do të gjejë asnjëherë aleat më të përkushtuar dhe të besuar se sa.
Ndërsa, ambasadori Hovenier e ka nisur fjalën e tij në gjuhën shqipe: “Unë jam shumë i gëzuar me qenë këtu në Kosovë”, ka thënë diplomati amerikan.
“Më vjen mirë për rolin që SHBA ka luajtur në mbështetje të Kosovës. Ka ende shume punë për te bërë siç ka në çdo vend, jam krenar dhe i përulur, i ngazëllyer, prej mundësisë që të marr pjesë në këtë proces të punojmë bashkë si përfaqësues i presidentit Biden këtu. ShBA janë partnere e qëndrueshme e Kosovës. Do te punojmë me ju, qeverinë, popullin për të avancuar prioritetet tona”, ka thënë ambasadori amerikan.
Jeff Hovenier, i cili ka luajtur një rol në negociatat që përfundimisht çuan në shpalljen e pavarësisë së Kosovës, është emëruar në këtë post nga presidenti Joe Biden në korrik 2021 dhe është konfirmuar unanimisht nga Senati i SHBA-së, më 18 nëntor.
Ai ka kaluar pjesën më të madhe të fëmijërisë së tij në Bellingham dhe shumë nga anëtarët e familjes së tij ende jetojnë në Whatcom County. Hovenier ishte transferuar në Bellingham kur ishte në kopsht fëmijësh, pasi babai i tij kishte marrë një punë si profesor në Universitetin e Washingtonit Perëndimor.
Hovenier ka ndjekur mësimet në shkollë publike në Bellingham, ku edhe ka diplomuar në shkollën e mesme në 1983. Ai është diplomuar në bachelor në Universitetin Brigham Young dhe pastaj ka përfunduar edhe studimet master në Universitetin e Georgetown përpara se të fillonte karrierën e tij prej më shumë se tre dekadash si diplomat. Pjesa më e madhe e karrierës së tij është fokusuar në çështje të sigurisë në Evropë dhe Euroazi. Përpara se të emërohej në rolin e tij të ri si ambasador, Hovenier ka shërbyer si zëvendës shef i misionit në Ambasadën e SHBA-së në Ankara. Përveç Kosovës dhe Turqisë, Hovenier ka shërbyer edhe në Gjermani, Kroaci, Greqi, Panama, Paraguai, Peru, Serbi dhe Mal të Zi.
Ai flet gjermanisht, greqisht, kroatisht dhe spanjisht dhe ka marrë çmime të shumta, duke përfshirë disa nga Qeveria e Kosovës. Në qershor të vitit 2018, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e kishte dekoruar diplomatin Hovenier me Medaljen Presidenciale Jubilare të Dhjetëvjetorit të Pavarësisë.
Kjo është hera e parë që Hovenier shërben si ambasador i SHBA-së.

Back to top button