Osmani pranoi urime nga homologët e saj për 14 vjetorin e Pavarësisë

Presidentja Vjosa Osmani, në 14 vjetorin e pavarësisë së vendit ka pranuar telegrame urimi nga Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, Mbreti i Holandës, Willem-Alexander R, Presidenti i Banglladeshit, Abdul Hamid dhe Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor.
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka uruar autoritetet shtetërore dhe të gjithë qytetarët e Kosovës.
“Arritjet e shtetit të Kosovës në drejtim të demokracisë, zgjedhjeve të lira, funksionimit të institucioneve të pavarura dhe mirëqeverisjes, janë mbresëlënëse dhe një shembull pozitiv për t’u ndjekur”, është bërë e ditur në telegramin e Presidentit Meta.
Presidenti i Turqisë, siç ka informuar Presidenca ka shkruar se lidhjet e forta historike, kulturore dhe humanitare ndërmjet Turqisë dhe Kosovës kontribuojnë si në zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe ashtu edhe në paqe dhe stabilitet të rajonit. “Si Turqi, ne do të vazhdojmë mbështetjen tonë për anëtarësimin e Kosovës në BE dhe NATO dhe për marrjen e vendit që meriton në arenën ndërkombëtare”, ka shkruar Erdogan.
Presidentja Osmani ka pranuar telegram urimi edhe nga Mbreti i Holandës, Willem-Alexander R, në të cilin janë përmendur sfidat nga pandemia.
“Ju uroj juve, qeverisë dhe popullit tuaj, forcë, guxim dhe shëndet përderisa të gjithë vazhdojmë angazhimet për tejkalimin e kësaj krize”, është shkruar në telegram.
Presidenten Osmani e ka uruar edhe Presidenti i Banglladeshit, Abdul Hamid.
“Fuqimisht besoj se lidhjet ekzistuese të miqësisë mes dy vendeve tona do të forcohen edhe më tej në ditët në vijim. Në këtë rast të gëzueshëm, dëshiroj te ju uroj shëndet të mirë, jetë të gjatë dhe gëzime e popullit vëllazëror të Kosovës paqe të vazhdueshme, progres prosperitet”, është bërë e ditur në telegramin e Presidentit Hamid.
Presidentja Osmani ka pranuar telegram urimi edhe nga Emiratet e Bashkuara Arabe/ “Është kënaqësi për mua të ju dërgoj Shkëlqesisë Suaj dhe popullit të respektuar të Kosovës urimet tona të sinqerta me rastin e Ditës suaj të Pavarësisë.  Besoj se do ti përcillni popullit tuaj pjesëmarrjen e popullit të Emirateve të Bashkuara Arabe në këtë rast të veçantë”, është bërë e ditur në telegram.
Ditën e pavarësisë, Presidentes Osmani ia ka uruar edhe Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor.
“Sllovenia do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në rrugën e saj të reformave të nevojshme për t’iu bashkuar strukturave euroatlantike. Për të garantuar stabilitet, zhvillim dhe lëvizje përpara drejt integrimit euroatlantik, marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe bashkëpunimi rajonal janë të një rëndësie jetike. Pres me padurim bisedimet dhe bashkëpunimin tonë të ardhshëm dypalësh në kuadër të Procesit Brdo-Brijuni”, është shkruar në telegramin e urimit të Presidentit Pahor./21Media

Back to top button