Osmani priti në takim Prattipatin: Konstituimi i Kuvendit të bëhet në përputhje me Kushtetutën

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim të Ngarkuarën me Punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Anu Prattipati.

Presidenca njofton se “gjatë takimit u diskutua për mbarëvajtjen e zgjedhjeve parlamentare dhe përmbushjen e standardeve më të larta demokratike, çka u vlerësua lart nga të dyja palët. Duke vënë theksin në rëndësinë e konstituimit sa më të shpejtë të institucioneve, u ritheksua nevoja që ky proces të zhvillohet në përputhje të plotë me kushtetutën”, thuhet në njoftim.

Presidentja Osmani dhe Prattipati shkëmbyen gjithashtu pikëpamje për një sërë çështjesh të rëndësishme në rrafshin e bashkëpunimit bilateral.

“Me këtë rast, Presidentja Osmani theksoi përkushtimin e palëkundur të Kosovës për të ecur përpara krah për krah me Shtetet e Bashkuara, në frymën e besimit të ndërsjellë, vlerave të përbashkëta dhe bashkërendimit të ngushtë në proces strategjike”, vijon njoftimi.

“Me këtë rast, znj. Prattipati i përcolli Presidentes dhe Zotërisë së Parë urimin për Vitin e Ri nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dhe Zonja e Parë, Melania Trump”, përfundon njoftimi.

Back to top button