Osmani: Rruga e Kosovës drejt NATO-s dhe BE-së është e pandalshme

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se pavarësisht sfidave të vazhdueshme, rruga e Kosovës drejt anëtarësimit në NATO dhe Bashkimin Evropian është e pandalshme.
Osmani në një intervistë për median britanike Monocl, ka folur për integrimin euroatlantik, duke theksuar gjithashtu potencialin zhvillimor dhe perspektivën afatgjatë të vendit.
“Mendoj se është jetike për të gjithë, për shtete të mëdha apo të vogla në mbarë botën, por është veçanërisht jetike për shtete si Kosova, sepse ne nuk kemi gjithmonë mundësinë të takojmë të gjithë në të njëjtën kohë dhe në të njëjtin vend. Shumica e angazhimit tonë diplomatik zhvillohet brenda kontinentit evropian. Do të na duhej shumë kohë për të vizituar secilin shtet veç e veç, në çdo kontinent”, ështëOsmani.
Ajo ka folur edhe për marrëdhëniet me SHBA-në.
“Marrëdhënia që kemi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka qenë gjithmonë ekzistenciale. SHBA-të udhëhoqën botën për të na shpëtuar jetët dhe për të na dhënë mundësinë të jetojmë të lirë, të pavarur dhe të gëzojmë demokracinë që kemi sot. Nga ana tjetër, Kosova është shndërruar në një nga historitë më të mëdha të suksesit të politikës së jashtme amerikane në historinë moderne, jo vetëm të SHBA-ve, por edhe të NATO-s në përgjithësi, sepse edhe shtete të tjera kontribuuan, si Mbretëria e Bashkuar dhe shumë vende të Bashkimit Evropian”, tha Osmani.
Tutje Osmani, tha se po punojnë ngushtë me administratën Trump për të parë se si mund ta zgjerojmë këtë marrëdhënie përtej diplomacisë dhe angazhimeve tradicionale politike.