Osmani: Serbia vazhdon të flejë mbi varreza masive

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me rastin e Ditës së të Pagjeturve. ka thënë se rreth 1600 persona vazhdojnë të jenë të zhdukur, shumë prej tyre fëmijë që iu morën nënave nga djepi.

Osmani shtoi se Serbia vazhdon të fle mbi varreza masive dhe refuzon t’i hapë arkivat ku gjenden informacionet për kosovarët e zhdukur.

“Rreth 1600 te zhdukur me dhunë akoma na mungojnë. Shumë prej tyre fëmijë që ua morën nënave nga djepi.Serbia akoma fle mbi varreza masive e refuzon t’i hapë arkivat ku gjinden informatat për më të dashurit tanë.Por e vërteta dhe drejtësia do të triumfojnë sërish!”, ka shkruar Osmani në “Facebook”.
Në Kosovë më 27 prill shënohet Dita Kombëtare e të Zhdukurve me Forcë. Gjatë luftës së fundit në Kosovë u zhdukën rreth 6,000 njerëz, prej të cilëve rreth 1.600 janë ende të pagjetur.

Osmani pas homazheve te Memoriali për të Pagjeturit në Prishtinë, tha se “edhe sot Serbia vazhdon që të bëjë krim të dyfishtë, sepse njëherë e kreu krimin, e pastaj bëri çmos që ta fshehë atë, duke i fshehur gjurmët e krimit edhe 25 vjet më vonë”.

“Përkundër faktit se kryetari i komisionit qeveritar, Andin Hoti, i ka dërguar letra Serbisë disa herë, duke i kërkuar që…të hapen arkivat për të dhënat e brigadave policore dhe ushtarake, për të cilat ka dëshmi që kanë marrë pjesë në masakra por edhe në operacione pas luftës për fshehjen e trupave – Serbia akoma nuk bëhet e gjallë në përgjigjen e këtyre kërkesave dhe vazhdon ta shkelë këtë marrëveshje të arritur në Bruksel”, tha Osmani.
Kosova dhe Serbia, një vit më parë, u pajtuan për Deklaratën e përbashkët për personat e zhdukur, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian./21Media

Back to top button