Osmani takon komandantin e KFOR-it: Hapja e urës është në interes të të gjithë qytetarëve

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka deklaruar se hapja e urës së Ibrit është në interes të të gjithë qytetarëve. Kështu ka deklaruar pas takimit që ka pasur me komandantin e KFOR-it në Kosovë, Ozkan Ulutas.
“Presidentja Osmani ka përsëritur qëndrimin e saj se çështja e hapjes së urës nuk duhet asesi të bëhet temë e dialogut me Serbinë. Presidentja ka ritheksuar se hapja e urës si akt normalizimi e integrimi është në interes të të gjithë qytetarëve, pa dallim etnie. Në këtë drejtim, Presidentja Osmani ka cekur rëndësinë e konsultimit dhe koordinimit në mes të institucioneve tona dhe partnerëve tanë të sigurisë, veçanërisht me NATO-n, në mënyrë që të ndërtohet plani i përbashkët i zbatimit për hapjen e urës për çdo qarkullim, që ka parasysh vlerësimet e sigurisë dhe interesat e qytetarëve tanë. Presidentja Osmani e falënderoi Komandantin e KFOR-it, për angazhimin e tij personal, si dhe të gjithë ushtarëve të KFOR-it, për mirëmbajtjen e paqes dhe sigurisë në vend., ka pohuar presidentja”, thuhet në komunikatën e Presidencës.
Ndryshe, hapja e urës së Ibrit është ndër temat më të diskutuara në vend.
Përkundër kundërshtimeve nga ndërkombëtarët për hapjen e kësaj ure, Qeveria e Kosovës mbetet e vendosur që ura duhet të hapet, dhe përgatitjet për hapjen e saj kanë nisur tash e disa ditë, ku tashmë ka përfunduar testimi për stabilitetin infrastrukturor të urës.
Ndonëse ndër vite u arritën marrëveshje e dakordime, u investua në infrastrukturën e saj si dhe u hap për qarkullim të këmbësorëve, ura e Ibrit vazhdon të jetë e bllokuar për automjete.
BE-ja ka kërkuar edhe një hap shtesë, një diskutim të ri në dialogun Kosovë-Serbi.