Osmani takon Kurz, kërkon liberalizim të vizave për Kosovën

 
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në kuadër të vizitës zyrtare në Austri është takuar me kancelarin, Sebastian Kurz.
Në takim me Kurz, Presidentja ka kërkuar nga BE-ja t’i liberalizojë vizat. Ndërkaq sa i përket dialogut me Serbinë, Osmani ka ritheksuar qëndrimin për dialog të barabartë ndërmjet palëve, i cili përfundon me njohje reciproke.
E para e Kosovës po ashtu ka theksuar se parakushte për paqen e qëndrueshme në rajon janë drejtësia për viktimat e luftës së fundit në Kosovë, ndriçimi i fatit të të zhdukurve me dhunë gjatë luftës dhe respektimi i sovranitetit dhe integritetit kushtetues e territorial të Republikës së Kosovës.
Sipas një komunikate për media Osmani ka falënderuar për mbështetjen e vazhdueshme austriake ndaj Kosovës.
Tutje thuhet se Osmani ka theksuar, gjithashtu edhe gatishmërinë e Kosovës për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe. Në këtë drejtim, ajo ka potencuar mundësitë për thellimin e bashkëpunimit mes dy shteteve në fushën e ekonomisë, teknologjisë informative, agjendës së gjelbërt dhe fushave të tjera.
Në këtë takim Osmani ka falënderuar kancelarin Kurz për 95 mijë vaksina Pfizer, të cilat janë siguruar për Kosovën nga Bashkimi Evropian, për të cilat Austria kishte ndihmuar në aspektin procedural./21Media

Back to top button