Osmani thotë se raportet me Slloveninë do të thellohen në të ardhmen

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e shoqëruar nga zotëriu i parë, Prindon Sadriu dhe delegacioni, është pritur me nderime të larta shtetërore nga presidenti i Sllovenisë Borut Pahor dhe zonja e parë, Tanja Pecar.
Në takim, Osmani ka potencuar se marrëdhëniet e afërta ndërmjet popujve të Kosovës dhe Sllovenisë, datojnë që nga vitet e para luftës dhe janë zhvilluar hovshëm në vitet që pasuan.
Sipas saj, raportet ndërshtetërore me Slloveninë do të thellohen dhe intensifikohen vazhdimisht në të ardhmen.
“Kosova dhe Sllovenia ndajnë të njëjtin vizion për paqe e prosperitet në rajon bazuar në vlerat euro-atlantike. Anëtarësimi në BE dhe NATO janë garanca kryesore për paqe në rajonin tonë. Mirënjohës pafund për mbështetjen e Sllovenisë për të ardhmen tonë evropiane, përfshirë për përkrahjen për liberalizimin e vizave si dhe për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës”, ka thënë ajo.
Sipas Osmanit, ekziston gatishmëria e dyanshme që të punohet për hapjen e kapitujve të rinj të bashkëpunimit në fushën ekonomike, atë të mbrojtjes e në diplomaci, si dhe në shumë fusha të tjera.
Në takimin ndërmjet dy delegacioneve mori pjesë edhe ministrja e punëve të Jashtme, Tanja Fajon, e cila është një përkrahëse e fuqishme e Kosovës./21Media

Back to top button